ËNDRRA TË MËDHA - roman 209 faqe
Romani zë fill në një ditë të kthjellët vere. Disa
nga djemtë e Lagjes Brazil janë vënë
përgjatë Virit, rrëkesë me ujë që
zbret tatëpjetë ndanë rrugës dhe bëjnë valoma,
prita prej balte në të cilat mblidhet uji, duke u përpjekur cili do ta bëjë
valomën më të madhe. Njëri prej tyre rreket të bëjë me anë të një dinamoje
biçiklete një hidrocentral të vogël tek përroi dhe më në fund ia arrin që nga
llambushka të dalin disa rreze drite. Disa të tjerë janë ulur nën hijen e kumbullës
dhe tregojnë përralla dhe anekdota. Të tjerë lozin te Lëmi i xha Palit.
Papritur qielli mbushet me zhurmë. Djemtë lënë
lojërat dhe të habitur ndjekin me sy një aeroplan i cili fluturon mbi kokat e
tyre deri sa zhduket në horizont. Ata rrinë me sytë drejt qiellit duke parë të
mahnitur andej nga u zhduk aeroplani. Është aeroplani i parë që shohin në jetë.
Të mrekulluar nga ai aeroplan i argjendtë, dy prej
personazheve i pushton dëshira që kur të rriten të bëhen aviatorë. Dhe për këtë
ata duhet të përgatiten që tani. Aty për aty vendosin të ndërtojnë një
aeroplan. Këtu fillojnë aventurat. Përmes skenave dhe episodeve humoristike,
përmes provave pa sukses dhe shpesh edhe të dhimbshme, më në fund ata ndërtojnë
një aeroplan prej një koshi triçikli të vjetër e të shkatërruar, mbetur nga
lufta dhe arrijnë të fluturojnë me të disa metra duke kaluar nga njëra anë e
përroit në tjetrën. Fluturimi zgjat vetëm dy sekonda dhe disa metra, por ai për
dy djemtë do të thotë tepër shumë: ata e bënë të vërtetë ëndrrën e tyre për të
fluturuar.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen