Dienstag, 31. August 2021

 

KINEMA MAJESTIK - roman për teenager.

Ndofta mund të kisha lexuar nja tetëmbëdhjetë a njëzet e tetë faqe, kur befas në majën e kalives u dëgjua një fërfëllimë si rrahje flatrash zogu. Ngrita sytë. Vërtet ishte një verdhash. Një zog i vogël, me sqep të mprehtë e me sy të vegjël e të zinj. Me pupla të verdha në gjoks dhe të zeza te krahët. Për një çast u pamë sy më sy. Isha gati ta ftoja atë mik të papritur. T'i thosha të hynte në kalive, ta gostisja me ato që më ndodheshin dhe të bisedonim shtruar për hallet e zbavitjet tona: unë si bir njeriu, ai si bir zogu. Por ai me sa dukej nuk ma pati besën ose kishte punë të tjera, sepse pas një çasti rrahu flatrat dhe fluturoi kushedi se ku.

 

E PËRMALLUARA DEDE - roman.

Ai ledhatim, megjithëse i vrazhdë, më qetësonte disi dhe unë tashmë rrekesha të kuptoja ç'kishte Dedja që qante. Ndjeja se asaj i mungonte diçka. Diçka shumë e vlefshme dhe e shtrenjtë të cilën e kish pasur dikur por që e pat humbur e që sipas të gjitha gjasave, ishte i biri i vdekur. Këtë hamendje ma përforconin mollëzat përjetësisht të skuqura të faqeve të saj. Mamaja tregonte se kur vdiq Nikoja, Dedes i hipi zjarrmi e madhe dhe u dergj për shumë kohë e sëmurë. Pas lëngimit të gjatë, zjarrmia i iku, por e kuqja e faqeve i mbeti e nuk iu hoq më.




USHTRIA E PËRROIT TË XHINDEVE - roman për teenager.

Por me sa dukej llogaritë i kishim bërë gabim. Njëzet hapa larg vendit ku hidhnin plehrat dhe çepkasnin pulat, ndodhej porta e një plake së cilës asnjëri prej nesh nuk ia dinte emrin. Ishte një plakë e shkurtër, me shami të zezë, me fustan të zi dhe me çorape të leshta, të zeza dhe të gjata deri te gjuri, si të gjitha plakat e tjera të mëhallës sonë së cilës të gjithë i thërrisnin Pandeshë, me sa dukej nga burri i vdekur i cili duhej ta kish patur emrin Pandi. Në dallim nga plakat e tjera, Pandesha kishte në anët e buzës së sipërme ca qime të gjata e të bardha si mustaqe të rralla. Dhe ja ku kjo Pandesha e mallkuar ishte ulur mbi një fron të ulët ndanë portës së shtëpisë së saj dhe tirte lesh nga një furkë që e mbantë nën sqetullën e majtë.



 

GJENERALI I HEKURT R - roman për teenager.

Pasi u mbush plot me ujë, E Premtja e Gjysmë me vazon në të dyja duart, unë me qesen e plastmasit në dorë u nisëm me nxitim për tek shtëpia e Nastos. U futëm në rrugicë dhe mbajtëm vesh. Nga oborri vinin disa zhurma të lehta dhe zëri i Nastos që me siguri fliste me të ëmën, se përveç saj në atë shtëpi vetëm macja ishte. Lamë përtokë ato që kishim në duar dhe pasi u ngritëm mbi majat e gishtave, hodhëm sytë në oborr. Telat në të cilët ndeheshin rroba për t'u tharë lëkundeshin, gjë që do të thoshte se Nastoja apo e ëma ose ishte duke ndehur rroba të porsalara, ose po mblidhte rrobat e thara, gjë që për ne ishte njëlloj.

 

E BARDHË E BRISHTË SI KRISTAL DËBORE - roman.

Sapo kishim dalë nga kinemaja dhe po ngjiteshim për në shtëpi. Binte dëborë me flokë të mëdha që nën dritën e dobët të llampave elektrike të varura përgjatë shtyllave anës rrugës, dukeshin si një mori letrash të bardha, të hedhura prej dikujt nga errësira. Ishte një nga ato mbrëmje dimri të ngrohta, që tek sheh dëborën e bardhë të ketë mbuluar bredhat e telat e telefonit t’i ketë trashur si me krem të bardhë torte, teksa sheh gjurmët thuajse të rrafshuara nga dëbora e re që bie e heshtur si në një botë pa tinguj, se pse të zgjohet një mall, shpirti të zbutet dhe befas të lind dëshira të mos shkosh e të mbyllesh në shtëpi, por të ecësh, të ecësh, nëpër rrugë të largëta e të panjohura, si ata udhëtarët që ecin drejt polit, të mbështjellë kokë e këmbë me gëzofë të trashë.


 

DJEMTË E LAGJES BREZIL - roman për teenager.

Nuk pritëm më. Ia dhamë vrapit drejt shtëpisë së Indianit. Duke e ditur nga fjalët e Gjeneralit R se rreth shtëpisë së tij qarkullonin spiunët e tradhtarët me t'iu afruar shtëpisë së Indianit e ndalëm vrapin dhe nisëm të ecnim me fytyra mjaft të brengosura dhe me sytë përtokë sikur të na kishin humbur nga dhjetë lekë për shok. Ama sytë i bëmë katër! Shtireshim sikur vështronim përtokë, por me bisht të syrit vëzhgonim mos i tërhiqnim vëmendjen ndonjë spiuni apo tradhtari. Për fat të mirë, pranë shtëpisë së Indianit nuk vumë re ndonjë prej tyre, me përjashtim të një qeni që kishte marë midis dhëmbëve një kockë të trashë dhe po mendohej për të gjetur ndonjë vend ku mund ta përtypte sa më i qetë dhe që me mijë për mijë, nuk ishte as spiun dhe as tradhtar.


 

GJUETI E NDALUAR - roman për teenager.

Rruga e shtruar me gurë që ngjitet nga Poshtë është e valëzuar: me dy pjesë të sheshta, si për t'i dhënë mundësi njerëzve të marin nga një frymë dhe të vazhdojnë rrugën përsëri. Në krye të përpjetës së dytë, në anën e djathtë ndodhet një ndërtesë prej tullash të cilën e quajmë Çentrali. Çfarë do të thotë kjo fjalë nuk e di, por di çfarë ka brenda në të, pasi disa herë jemi qepur pas murit deri tek dritaret dhe kemi parë çfarë ka brenda. Në të është një sallë shumë e madhe e shtruar me çimento. Në mes të saj ka disa makineri prej të cilave del korenti që na sjell dritat. Veç të dëgjoni si shungullojnë e gjëmojnë ato makineritë kur punojnë! Sikur ke hipur në ndonjë vapor të madh!


 

TË VONUARIT - roman.

Mu atje ku mbaron njëra këmbë e urës zë fill një rrugicë e ngushtë që dredhon midis shtëpive të gjithfarë stileve e ngjyrave, disa prej të cilave madje nuk kanë as stil, as ngjyra. Të paduruarit që nuk e njohin atë pjesë të qytetit dhe duan të fitojnë disa minuta kohë, nxitojnë t'i bien shkurt duke kaluar nëpër të. Por shpejt e ndjejnë se janë gabuar me ngutjen e tyre. Rrugica ngushtohet e ngushtohet, deri sa përballë u del një portë, përtej së cilës nuk mund të kalohet më. Atëhere i nxituari që është vonuar për diku e kupton se nuk ka fituar asgjë, madje ka humbur shumë më tepër kohë se po të kish shkuar në rrugën e zakonshme. Rrugica e ka zënë në grackë dhe atij s'i mbetet tjetër veçse të mallkojë e të shajë nëpër dhëmbë ngutjen e tij.

 

MISTERI I SHPELLËS GRYKA E UJKUT - roman për teenager.

– Do bëjmë qejf! – më pëshpëriti pranë veshit 700 Gramshi. – Ndoshta kemi fat dhe takojmë ndonjë njeri të egër atje! Sa qejf sikur të na zënë rob dhe të rrethuar me heshta e shigjeta të na shpien te prijësi i tyre. Mere me mend: ata s’dinë shkrim e këndim. E mësojmë prijësin e tyre të shkruajë e të lexojë gazetën dhe ai si shkëmbim do na gostisë me mjaltë ose me mish mamuthi të pjekur. Ke ngrënë ndonjëherë mish mamuthi të pjekur ti, Pipko? Unë për vete nuk kam ngrënë. Por kam dëgjuar se është shumë i shijshëm. Dhe ja ku më në fund do ta provojmë edhe ne. Te prijësi i të egërve. Sa qejf, hë? Pale që në shenjë falenderimi që do t'i mësojmë shkrim e këndim ai mund të na japë edhe gjerdanë floriri e perlash!


KËTU DIÇKA KA - roman për teenager.

 Papri­tur një prej tyre ra! U shkëput nga qielli dhe si plumb i bardhë ra diku. Sa habi! Si ra ashtu? Ku ra? Pse ra? Ai ra, po të tjerët përse nuk binin? Me siguri do kish rënë prapa malit të Kokogllavës, se ashtu m’u duk. Nesër në mëngjes, sapo të gdhihej do vija ta shihja. Deri atje s’mbante as gjysmë ore në këmbë. Po të kisha pak fat, mund të gjeja ndonjë copë prej tij dhe me të t’u mburresha të gjithëve në Lëmin e xha Palit. Sepse isha i bindur që asnjëri prej shokëve të mi nuk e kish parë yllin që ra. Madje edhe unë nuk do ta kisha parë, sikur atë natë të mos kisha gjumë.

 

KËPUT MOLLËN E PARË - roman.

Në atë vend të largët e të panjohur, në atë ambjent krejt të ri, midis njerëzish krejt të tjerë, vëmendja e saj u thith nga kureshti të reja. Tashmë prindërit e Antonit kishin vdekur, me pengun që nuk e panë një herë nusen e të birit. Por takuan njerëzit e tjerë. Shokët e vegjëlisë e të rinisë, miq e të njohur. Të gjithë i pritën me përmallim, i rrethuan me dashuri. Si miq të rrallë. Sidomos gjermankën që më së fundi kish denjuar të vinte në qytetin e tyre të vogël. Për sa kohë që ndenjën në shtëpinë e tij, nuk i lanë një ditë të qetë. Shkuan në pyllin e Dëmbravës, bënë piknik në manastirin e Shën Konstandinit, u ngjitën në qytetin mesjetar të Voskopojës ku ai dikur kish punuar dikur.

 

PËRROI QË NDANTE DY BRIGJE - roman për teenager.

Besa, një rrezik më përgjonte vërtet, por ai nuk ishte nga ata që kishte në mend Dedja. Rreziku ishte nja dhjetë metra poshtë portës së shtëpisë së xha Fanit, ku rrinte ulur në sofatin prej guri pranë portës së saj Baboja. Këtu ta themi, këtu ta lëmë, plakë më të frikshme se ajo nuk kam parë as në filma! E veshur me fustan të gjatë e të zi, me çorape të leshta të gjata e të zeza, e mbështjellë veshë e gushë me shami po të zezë, me hundë të përkulur që gati i cek mjekrën ngaqë s’ka dhëmbë, Plaka Shtrigë e përrallave që fluturon me fshesë është lule përpara saj! Nga mëngjesi në darkë ajo rri ulur në sofat dhe sapo sheh të kalojë ndonjë prej nesh, sytë e saj të zinj erren brenda zgavrave, fytyra e rrudhur i rrudhet edhe më tepër dhe pasi na hedh një vështrim të rreptë pyet:

 

URA QË LIDH DY BRIGJE - roman për teenager.

Ne filluam të mendoheshim. Top vërtet nuk kishim, por mund të gjenim diçka të ngjashme. Fjala vinte, të sillnim në majë të lëmit qerren e xha Petros dhe ta lëshonim tatëpjetë drejt portës së teto Vanës mu si ata deshët me të cilët shpërthenin portat e kështjellave në kohët e lashta. Kjo nuk u pranua nga shumica. E para, xha Petroja i çmbrehte qetë vetëm në të perënduar të diellit. E dyta, në çastin e përplasjes, prapa portës mund të ndodhej macja e teto Vanës së cilës rrota mund t’i këpuste bishtin. E treta: pasi të shpërthente portën, qerja do hynte në oborr dhe do t'ia shtypte lulet teto Vanës. E katërta dhe më kryesorja: nga forca e madhe, qerja do bënte zhurmë të madhe. Për pasojë atje do t’ia behnin menjëherë policët e rreptë Tefik dhe Refik. Pra duhej gjetur ndonjë mënyrë më pak e rrezikshme.

 

MODEST SHTRIJE HAPIN - roman.

Atje zinte fill Shadica. Si një fryt dashurie e Moravës dhe Gramozit. Atje shushurinte për herë të parë ajo. Midis shpateve të atyre maleve të lartë ku bulëzonte pik-pik lëmyshqeve dëbora e shkrirë. Pikat bëheshin rrëkeza e rrëkezat rridhnin me shushurimë prroskave. Më poshtë prroskat bëheshin përrenj. Përrenj të sertë që rridhnin tatëpjetë duke u përplasur nëpër gurët tërë thepa, plot shkumbë e oshëtimë. Rrugës ata takoheshin dhe bënin së bashku atë lumin ujëshumë me emrin Shadicë që zbriste nga shpatet e malit, dredhonte kodrave e pasi dilte në fushë, nisej për udhë të gjatë, duke rrjedhur nëpër shtratin e tij prej gurësh zalli të lëmuar të cilët vetë ai i kish bërë të tillë, duke i lëpirë me gjuhën e ujit ditë e natë, dimër e verë, një jetë të tërë. Që kur ishte krijuar bota.


 VIZITORI I ÇUDITSHËM - roman për teenager.

Të tërhequr pas lojërave, mungesa e tij nuk na ra në sy. Ndoshta e kish dërguar Stavrevica, (kështu i thërrasin mamasë së tij të gjitha gratë që mbushin ujë te Çezma e Kalinçes dhe domosdo, kështu e quajmë edhe ne) për të blerë ndonjë gjë te shitoret që ndodhen Poshtë, përgjatë asaj rrugës së drejtë e të sheshtë që të gjithë e quajnë bulevard. Ose e kish mbajtur tatja, (kështu e quan të atin Nixhoja) për ta ndihmuar në punët e tij. Stavrja është usta për të rregulluar dyer e dritare, por sidomos ai është mjeshtër në bërjen e kadeve. Dhe të bësh një kade, me sa marr vesh unë nga kjo punë, pikë së pari duhet të jesh dy vetë: njëri të mbajë rrathët, tjetri të vendosë brenda tyre ato dërrasat e ngushta e të lakuara që të gjitha së bashku bëjnë kaden. Dhe ky njeri i dytë është Nixhoja i cili shpesh bie viktimë e tates për orë të tëra, pa pasur mundësi të dalë te Lëmi i xha Palit dhe të lozë me ne.

 

 
MASHTRIMET E TETO LLUKANICËS
- roman për teenager.

Ai iku. Unë mora gjysmë librin e Robinsonit dhe nisa të lexoja. Në kalive ishte hije. Në kalive ishte fresk. Në kalive ishte qetësi dhe nuk më shqetësonte asnjeri. A nuk është diçka e mrekullueshme të jesh në pushimet e verës? Të shtrihesh diku mbi barin e lagësht dhe të lexosh libra të bukur të cilët të degdisin shumë larg; përtej deteve dhe oqeaneve dhe të shpien tek një ishull i gjelbëruar, duke ndjekur hap pas hapi atë njeri të çuditshëm, gjysmë të zhveshur dhe të thekur fort nga dielli përvëlues. Këmbëzbathur dhe me dy pushkë në sup. Me dylbinë varur në qafë dhe me pisqollën ngjeshur në brez, me papagallin te supi dhe me ombrellën prej lëkure dhie në dorë, ashtu siç po bëja unë tani?


 

VËSHTRIMI I TRISHTË I ZONJËS VENDEL - roman.

U afrova tek dera e dhomës së plakut dhe ndenja në përgjim. I gatshëm për të hyrë, me zhurmën më të parë që do dëgjoja. Por as ashtu nuk e ndjeja se isha duke e kryer detyrën time. Ai papritur mund të rrëzohej, ndofta edhe të goditej keq pas krevatit apo veglave të gjimnastikës. Dhe çfarë t'i thosha frau Vendelit pastaj? Se rrija pas derës së mbyllur? Po a ishte puna ime ajo, a paguhesha për të ndenjur në këmbë prapa derës së mbyllur? Po sikur papritur të vinte zonja Vendel apo ndonjë i familjes dhe të më gjente duke ndenjur në këmbë pa asnjë kuptim pas derës së mbyllur, çfarë do mendonte? Çfarë do më thoshte? Vendosa ta hapja derën. Duke marë në sy edhe reagimin e ashpër të plakut. E hapa fare pak derën, për të parë çfarë ishte duke bërë.

 

ROBËR NË ÇADRËN E JENIÇERËVE - roman për teenager.

Arritëm te fushimi i ushtrisë turke dhe hymë midis çadrave. Një mizëri ushtarësh, kuajsh, qerresh e buajsh lëvrinte tutje-tëhu. Një zhurmërimë urdhërash, thirrjesh, lutjesh, sharjesh, rënkimesh e hingëllimash kuajsh më shurdhonin veshët. Tek një çadër e madhe pashë të hynin me nxitim një varg jeniçerësh duke mbajtur në vigje ushtarë të plagosur të cilët ulërinin nga dhimbja e plagëve. Dikush me kafkë të çarë, një tjetër me krah të prerë, një i tretë me sy të nxjerë. Një tjetri nuk i njihej koka nga sera e shkrirë. Prej tij përhapej erë zifti dhe mishi të djegur. I zhyer në katran të zi, ai dukej sikur kish arritur të kthehej i gjallë nga skëterra.


 

NE QË MUNDËM USHTRINË E SULLTANIT - roman.

Ata shkuan tek robërit dhe ia filluan mbledhjes. Si detektiv që ishte, Bobi mori përsipër të kontrollonte Sulltanin. Së pari ia mori çallmën dhe prej saj shkuli diamantin e madh. Pastaj ia hoqi nga qafa gjerdanin e trashë prej floriri. Pastaj ia hoqi nga dora byzylykun e gjerë prej ari të zbukuruar me gurë të çmuar. Më pas ia hoqi nga gishtat unazat e trasha prej floriri me diamantë. Dhe së fundi, edhe një palë tespihe fildishi. Pasi mbaroi me këto, Bobi ia nisi kontrollit dhe nuk i la xhep e cep të dollomasë pa ia rrëmuar dhe pa i marë ç'kishte në to. Ngaqë nuk kish ku t'i vinte, Bobi hoqi qeleshen dhe i futi të gjitha në të. Po kështu bënë edhe Dhori që pa Derrin e Egër dhe Dy Lugë Gjella. Dikush kishte zinxhir floriri në qafë, dikush kish vëthë ari në veshë. Dhe pothuaj të gjithëve i gjetën qese plot me florinj të varura në qafë dhe të futura në xhepat e dollomave. Të tëra këto përfunduan në qeleshet e tre shokëve tanë të cilat në fund të kontrollit u mbushën plot.


 

PREKJA E MIRAZHIT - roman.
 

Nga dritarja e hapur e vagonit të trenit shpërfaqej ai peizazh i njohur të cilin në çaste si ky, Rudini e kish parë dhjetëra herë. Përtej zbrisnin në tatëpjetë të lehtë ara të mbjella me grurë, tashmë gati për korrje e verdha e të cilave si në një fushë shahu këmbente vend me të gjelbrën e parcelave të mbjella me panxhar, misër e patate.

Përfund tyre zinte fill bregu i liqenit. Sikur të rebelohej nga prerjet si me thikë të ngastrave të mbjella e gjelbra zgjatej me një brez shavari në thellësi të tij si të deshte të pinte ujë apo të shkrihej me të kaltrën e liqenit. Më tej fusha e shahut i humbte prerjet. Turbullohej dhe kthehej në paletë piktori, tashmë e shplarë në ujë ku bojërat shpërbëheshin në nuanca ngjyrash të papërcaktuara. Më në thellësi hapej cipa e valëzuar e asaj mase të pamatë ujore e cila shtrihej deri larg: në bregun përballë, atje ku ngrihej i thiktë dhe shkëmbor Mali i Thatë.

 


VETËM HAJDUTËT TA DUAN TË MIRËN - roman për teenager.

Kurrë nuk e kam pritur me aq padurim ditën e nesërme!

Edhe para se të flija, edhe kur u zgjova, mendja më rrinte tek ai udhëtim i gjatë dhe i çuditshëm që kishim bërë, prej të cilit ishim kthyer ditën e djeshme. Kishim qënë për një javë miq në kështjellën e Gjergj Kastriotit në Krujë. Kishim luftuar dhe fituar ndaj ushtrisë më të madhe e më të fuqishme të kohës: kundër ushtrisë së Sulltanit të Turqisë.

Dhjetë kundër njëqind mijëve!

Njëri kundër dhjetë mijëve!


 

 PËR NJË KOSKË GJER POLOSKË - roman.

Ajo pyetje më trokiti në kokë të nesërmen në mëngjes që në çastin kur hapa sytë dhe u zgjova: çfarë do lexonim atë ditë të ulur nën degët e kumbullës së egër në Arën e xha Nisit? Po të nesërmen dhe të pasnesërmen? Fletores me anekdotat e Nastradinit që na kish dhuruar mësuesi plak xha Lekoja ia kishim gjetur fundin pasditen e djeshme dhe për sot nuk na kish mbetur asgjë. Gjithë ato ditë ishim zbavitur duke lexuar bëmat e Nastradinit dhe tani nuk do kishim çfarë të lexonim. E dija se Andi e kish porositur mamanë e tij në kryeqytet që kur të vinte të sillte edhe një libër me anekdota të Nastradinit, por deri sa të vinte ajo, ne do kishim vdekur të paktën dhjetë herë nga mërzia.


 

ËNDRRAT TRETEN NË MËNGJES - roman.

Janë tri pisha në Tiranë, pranë Monumentit të Leninit.

Nën degët e tyre me hala të gjelbra rrëzë trotuarit, është vendtakimi i një grupi djemsh. Pasditeve vonë ata vijnë kush me biçikletë, kush në këmbë. Vijnë rregullisht dhe me kokëfortësi çdo ditë. A thua se përveç asaj xhiroje të vetme jeta e tyre s'ka gëzim tjetër. Ai qëndrim në këmbë dhe ajo shëtitje e ngadalshme rreket më kot të mbushë boshin e kohës së tyre të lirë.

Çapiten ngadalë. Pa qëllim. Pa dëshirë.

Si njerëz që s'dinë ç'të bëjnë dhe ku të venë.



 

PO TË MOS KISH VDEKUR DO RRONTE AKOMA - roman për teenager.
 

Nuk ka lumë më të bukur në botë se lumi ynë Shadicë!

Ai zbret nga malet e Gramozit me majat shkëmbore dimër e verë të mbuluara nga kapuçi i dëborës, dredhon shpateve, gjarpëron kodrave dhe zbret në fushën që arrin deri në këmbët e qytetit tonë të vogël.

Pasi arrin këtu, lumi Shadicë bën disa dredha midis ranishtash të vogla me rërë të pastër, futet midis shkurresh të denduara e lajthishtash të egra, rrëshqet mbi cektina të pjerrëta të mbuluara prej zajesh e pllogash të lëmuara nga lëmazhgat. Gurgullon poshtë llagëmeve të mbushur plot me peshk dhe largohet nga qyteti ynë për t'u bashkuar kushedi se me kë lumë tjetër deri sa të derdhet në det.


 

KU TA DIJA UNË I ZIU SE ÇIFTE KISHTE EDHE ARIU - roman për teenager.

Po afronte mesdita dhe ne ende nuk po kujtoheshim të shkonim në shtëpi për të ngrënë drekë. Rrinim te shkallët e gjera prej graniti të lëmuar të Shkollës së Vjetër të cilat në kohë vape janë aq të freskëta sa ta ka ënda të shtrihesh mbi to. Dy Lugë Gjella dhe Dhori që pa Derrin e Egër ishin duke lojtur damë, 700 Gramshi dhe R-ja ia kishin filluar treshit, Bobi ishte po fërkonte pas shkallëve një ashik të madh të cilin deshte ta bënte onoma. Unë e kisha marrë njërën këmbë mbi tjetrën dhe po mundohesha të nxirrja një gjemb që më kishte hyrë në shputë. Ndërsa Andi ishte duke lexuar një gazetë të vjetër.



 

NËSE JETA ËSHTË KAQ E SHKURTËR - roman.

Ai ndaloi përballë portës me kangjella të hekurta të cilat në mesnatën blu lëshonin rrezatim të ftohtë në gri. Më shumë u mbështet se e shtyu atë derë që kurrë nuk mbyllej. Ajo lëvizi pa zhurmë. Hyri në oborrin e vogël, shtruar me çimento dhe mbajti këmbët përpara shkallëve që ende ishin të ngrohta nga dielli i gushtit. Nuk kishte fuqi t’i ngjiste ato katër shkallina që më shumë e ftonin të lëshohej mbi to e të dergjej atje deri në mëngjes.

Mbajti këmbët dhe pa. Përtej grilave vinte dritë e verdhë si e prerë me brisk. Janë zgjuar. Ende s’kanë rënë të flenë, regtiu ngathtësisht në trurin e tij të plogët. Midis joshjes së dobësisë kapitëse dhe nxitjes së asaj fashe drite të verdhë që shkallëzonte errësirën dhe e grishte drejt saj ai zgjodhi diçka midis.



 

LOPA MË JEP DETYRA SHTËPIE - roman.

Kaq shumë na kish pëlqyer ai film me Herkulin sa të gjithë e kishim parë nga tre herë. Dikush ia kish marrë lekët për biletë mamasë, një tjetër gjyshes, një tjetër kish mbledhur shishe vodke bosh te kopshti prapa shtëpisë së pijanecit Onço dhe i pat shitur tek shitorja e zotit Llukë dhe të tjerët, ata e dinin ku i kishin gjetur lekët.

Rrinim tek shkallët e lëmuara prej graniti të Shkollës së Vjetër dhe nuk ndjenim të ngopur duke folur për atë film që na kish lënë gojëhapur nga habia.

– Si i tërhoqi me zinxhirë kolonat e Pallatit të Mbretit Herkuli, hë? – tha me përshtypje të forta Nixhoja.

 

MIQ NË SHTËPINË E NASTRADINIT - roman për teenager.

Dhjetë ditët më në fund kaluan. Madje ato nuk na u dukën aq të gjata, siç pandehëm kur Andi na tha se mamaja e tij do vinte pas dhjetë ditësh, pasi ato ditë ne i kaluam duke dëgjuar rrëfenjat e Nastradinit te Mulliri i xha Kristos, te floktorja e xha Peros, tek stani i xha Llambros, tek ajo lëndina poshtë ahut në Poloskë, në shtëpinë e xha Mihalit dhe në stanin e Stefos nën Lëndinat e Bradvicës.

– Mamaja ime vjen sot në orën katër pasdite, – tha Andi sapo hyri poshtë degëve të kumbullës së egër.


 

NATA E YJEVE QË BIEN - roman.

Kabinat e doganierëve tashmë kishin mbetur pas. Ata nxitonin. Si nga një shtysë e brendshme, gati e pakuptueshme. Ndoshta nga ndjenja e frikës së kontrollit të pasaportave e cila tek ata jetonte ende për inerci. Nga droja se papritur mund të dëgjonin një zë nga pas i cili do t'i urdhëronte të ndaleshin dhe të ktheheshin prapa.

Nxitonin! Të iknin sa më shpejt dhe sa më larg prej asaj ndërtese plot reklama shumëngjyrëshe e cila në bukurinë e saj fshihte një rrezik të padukshëm i cili pikërisht se ishte i tillë bëhej i ankthshëm dhe më kërcënues.

Tok me ankthin tek ata jetonte edhe mrekullimi.

 

VETËM MERR KURRË NUK JEP - roman për teenager.

Mëngjesi kishte zbardhur i kthjellët dhe fshati tashmë qe zgjuar. Ishim zgjuar edhe ne por ende rrinim shtrirë mbi rrogoz. Nga oborri dëgjoheshin disa zhurma të lehta të Nastradinit i cili me sa dukej ishte duke përgatitur mëngjesin. Përtej avllisë vinin zërat e fqinjëve, këngë gjelash e blegërima delesh.

Pas pak nga dritarja e hapur zuri të hynte në dhomë një aromë e këndshme e cila po më ngjante me erë papareje.

– Sot për mëngjes kemi papare, – thashë.