Sonntag, 19. Januar 2020



E FSHEHTA MË E MADHE E BOTËS - roman 169 faqe

Me anë të Kronosit djemtë shkojnë një mijë vjet në të ardhmen për të parë si jetojnë dhe me çfarë lojërash luajnë moshatarët e tyre ku habiten me shumë gjëra.
Disku i çuditshëm i gjendur në shpellën e Ishullit të Pabanuar u nxit kureshtjen të dinë përmbajtjen e tij. Për këtë djemtë shkojnë dhjetë mijë vjet në të ardhmen dhe takojnë qënie superinteligjente. Më në fund arrijnë të deshifrojnë përmbajtjen e diskut nga e cila mësojnë gjëra nga më të pabesueshmet rreth historisë së njerëzve dhe të vetë Tokës.
MIDIS TË EGËRVE NË ISHULLIN E THESARIT - roman 175 faqe

Vazhdon jeta në Ishullin e Pabanuar. Nga toka e punuar djemtë marin prodhimet e para dhe jeta e tyre bëhet më e mirë. Kronosi fillon të flasë, por bëhet i pacipë. Djemtë ndërtojnë një trap me të cilin lundrojnë gjatë grykës së lumit, deri në oqean. Nën shembullin e Robinsonit, vendosin të ndërtojnë një vathë ku të mbajnë dhi të egra. Bëjnë përgatitje për t'i detyruar dhitë e egra të futen në vathë dhe tani e tutje ushqimit të djemve u shtohet edhe qumështi. Diku gjejnë varkën e Robinsonit të cilën ai nuk kish mundur ta shpinte deri tek bregu i oqeanit dhe e shpien në ranishtë me të cilën bëjnë shëtitje përgjatë bregut të oqeanit.
Në ishull vjen një anije me vela. Robinsoni dhe miqtë e tij shpëtojnë nga robëria kapitenin e anijes. Djemtë bëhen dëshmitarë të luftës kundër kryengritësve në anije. Robinsoni u jep një dënim të arsyeshëm dy rebelëve kryesorë, duke i lënë në Ishullin e Pabanuar dhe vetë largohet përgjithnjë me anijen me vela.
MOS U DORËZO KURRË - roman 170 faqe

Përfundon ndërtimi i shtëpisë së re. Ndërkaq vazhdojnë provat e fshehta të orkestrës. Gjatë festës, vënë re se të gjithë kanë përgatitur në fshehtësi diçka për të befasuar shokët. Mbi të gjitha pëlqehet pamasë një skeç i cili paraqet takimin me Kinga Kungën dhe përleshjen me të për t’ia rrëmbyer Kronosin, skeç që shoqërohet me një këngë humoristike e cila i zbavit pamasë dëgjuesit.
Mendimi se të egrit e dinë se në ishull ndodhen djemtë, i detyron këta të marin masa mbrojtjeje ndaj tyre. Në të gjithë shtigjet ata ngrejnë kurthe e leqe në të cilët kur të vijnë të egrit në ishull do përpiqen ta tërheqin drejt tyre Kinga Kungën.
TË HUMBUR NË ISHULLIN E PABANUAR - roman 173 faqe

Pas panikut të parë, djemtë mundohen të sajohen si të munden dhe sa të munden në ishullin i cili këtej e tutje do jetë atdheu i tyre. Shkojnë me not disa herë tek anija e mbytur e Robinsonit dhe gjejnë ndonjë gjë që i ka shpëtuar syrit të Robinsonit. Ndërtojnë Strehëzën e tyre, hapin tokë për të mbjellë perime dhe sajojnë veglat e para bujqësore për punimin e tokës. Ditë pas dite djemve fillon t’u kthehet humori dhe sërish u kthehen lojërave, shëtitjeve, notimit, kolovitjeve, hedhje me zhyt nga lartësia në ujë e plot zbavitje të tjera. Një ditë Pipkoja gjen në pyll një papagall të vogël të cilin e pagëzojnë me emrin Kronos i cili i shtohet shoqërisë së tyre. Pipkoja vendos ta mësojë të flasë.
BOBI I BARDHË DHE BOBI I ZI - roman 188 faqe

Pas disa ditësh gërmimesh, djemtë zbulojnë qytetin e lashtë ilir. Midis sendeve të çmueshme nga ajo kohë, ata gjejnë edhe syzat e Andit, të dhuruara dy mijë vjet më parë motrës së princit Onasio. Ndërkaq vazhdojnë hilet e mashtrimet e tre punëtorëve dinakë të cilëve djemtë u punojnë një lojë të bukur duke i bërë të ikin të turpëruar. Ndërkaq një mësues i pandërgjegjshëm përpiqet të përvetësojë punën e djemve dhe të marë për vete meritat e zbulimit të qytetit të lashtë.
NË PALLATIN E PRINCIT ONASIO - roman 188 faqe

Të hollat e fituara nga llotaria dhe të shpenzuara sa andej-këtej, mbarohen dhe ata papritur mbeten pa asnjë kacidhe në xhep. Si me magji ndryshon ndaj tyre edhe sjellja e njerëzve të cilët sa kohë që kishin të holla, u buzëqeshnin me nderim e dashamirësi, ndërsa tani i shohin me përçmim. Një të premte, me anë të Kronosit djemtë shkojnë përsëri në ditën e hënë që do vijë. Kopjojnë nga gazeta numrat fitues të llotarisë dhe kthehen në kohën reale, duke luajtur me ata numra. Fitojnë përsëri llotarinë, gjë që tek banorët ngjall habi të papërshkruar. Dhe përsëri ata që i kishin parë me përçmim, nisin t'u buzëqeshin me nderim e dashamirësi!
MOS E HARRO KOKËN NË DRITARE - roman 174 faqe

Djemtë janë kureshtarë të dinë deri në cilën kohë do vazhdojnë të rrëfehen bëmat e mikpritësit e tyre. Për këtë vendosin të bëjnë një provë. Me ndihmën e Kronosit ata shkojnë një mijë vjet në të ardhmen. Pra, në vitin 2222. Pas pak çastesh veten e shohin në një ndërtesë prej xhami në hyrje të së cilës shkruhet: "Biblioteka e Zelandës së Re". Hyjnë në njërën prej sallave të saj me mure të veshur me ekrane kompjuterash. Sakaq para tyre vjen një vajzë shumë e bukur e
MIQ NË SHTËPINË E NASTRADINIT - roman 179 faqe

Djemtë e presin me padurim ardhjen e mamasë së Andit. Gëzimi i tyre është i madh kur ajo u thotë se u ka sjellë jo një, por tre libra me anekdota të Nastradinit. Me t’i marë librat, djemtë vrapojnë nën degët e kumbullës dhe fillojnë të lexojnë bëmat e tij duke ia plasur të qeshurit deri në leximin e anekdotës së fundit.
Dhe këtu befas lind pyetja: ka jetuar vërtet Nastradini, apo bëmat e tij i kanë bërë njerëz të ndryshëm dhe ia kanë veshur Nastradinit? Debati është i fortë dhe midis palëve kundërshtare vihet një bast mjaft i rëndë.
NE QË MUNDËM USHTRINË E SULLTANIT - roman 205 faqe

Megjithëse djemtë e shuan kureshtjen për të parë betejën para mureve të Krujës, përsëri atyre i mbeti një dëshirë e paplotësuar: të takonin prijësin legjendar Gjergj Kastrioti i cili me një ushtri fare të vogël arriti të mundte ushtrinë më të madhe të botës në atë kohë. Me anë të Kronosit djemtë shkojnë tre ditë para se të vijë ushtria armike dhe ta rrethojë kështjellën. Ata kërkojnë të takohen me Gjergj Kastriotin.
Me anë të Kronosit djemtë shkojnë fshehurazi në çadrën e Sulltanit dhe mësojnë planet e tyre për pushtimin e kështjellës të cilat ia tregojnë Gjergj Kastriotit. Duke ditur historinë që kanë mësuar në shkollë, djemtë i tregojnë Komandantit për marrëveshjet e fshehta me pushtuesit të disa njerëzve e vendeve që paraqiteshin si miq dhe aleatë të Krujës. Për shërbimet e vlefshme, Gjergj Kastrioti i falënderon me mirënjohje dhe i bën miq të tij.
Në shenjë miqësie, djemtë e ftojnë Heroin legjendar për një vizitë në kohën e tyre. Me anë të Kronosit djemtë kthehen në kohën reale duke marë me vete edhe Gjergj Kastriotin i cili jeton një ditë në kohën moderne pesëqind vjet më vonë, gjë që e fut në situata mjaft komike. Mbi të gjitha ai sheh me sytë e vet lavdinë me të cilën ai është mbuluar ndër shekuj.
Pasi kthehen në kohën e betejës së famshme, djemtë i luten mikut të tyre që të jenë ata: dhjetë djemtë që të luftojnë kundër ushtrisë njëqind mijëshe të sulltanit. Në pamje të parë kjo duket diçka jashtë logjike, por me ndihmën e Kronosit gjithçka është e mundur. Djemtë shkojnë shumë përpara në kohë. Armatosen me armë moderne dhe vetëm ata të dhjetë asgjësojnë ushtrinë njëqind mijëshe të Sulltanit. Kështjella e Krujës jeton ditë feste. Njerëzit janë të lumtur, ndërsa dhjetë djemtë shihen si heronj nga banorët e Krujës.
DIE STILLE FANNY - Novellen 197 Seite/faqe. Gjermanisht.

E HESHTURA FANI - novela.

ROBËR NË ÇADRËN E JENIÇERËVE - roman 214 faqe

 Një ditë djemve u lind dëshira dhe kureshtja të shohin betejën legjendare të Krujës të ndodhur pesëqind vjet më parë. Me anë të Kronosit ata shkojnë në një kodër të vogël përballë kështjellës dhe të shtangur nga habia shohin betejën e përgjakshme për pushtimin e kështjellës. Dhe janë aq të çmeritur nga tmerret që shohin, saqë nuk vënë re çfarë ndodh rreth tyre. Papritur ata bien robër në duart e jeniçerëve të cilët i lidhin dhe i mbyllin në një çadër. Njërit prej jeniçerëve i tërheq vëmendjen Kronosi të cilin ua rrëmben për t'ia dërguar të birit.
Për djemtë vijnë ditë të vështira. Pas çasteve të para të dëshpërimit, ata nisin të mendojnë si të arratisen nga çadra. Por edhe nëse do arratiseshin, kjo nuk do ishte e mjaftueshme. Atyre u duhet patjetër Kronosi për t’u kthyer në qytetin e tyre dhe sidomos në kohën e tyre. Me shumë vështirësi e rrezik dhe në sajë të guximit, të zotësisë dhe zgjuarsisë së tyre djemtë arrijnë ta shtien në dorë Kronosin dhe të kthehen në kohën e tyre dhe në shtëpitë e veta.
TA ANTHI TIS PASKALIAS - tregime e novela greqisht 106 faqe
- Lulet e jargavanit -


DETEKTIVËT MË TË MËDHENJ TË AMERIKËS - roman 187 faqe

Xha Nuni, një plak që dikur ka qënë emigrant në Amerikë u rrëfen djemve historinë e një shoku të tij i cili u dënua pa të drejtë me burgim të përjetshëm me fajësimin se kish vjedhur bankën. Të prekur nga kjo padrejtësi, djemtë vendosin të shkojnë në Amerikë dhe të shpëtojnë nga burgu atë njeri të pafajshëm. Me anë të Kronosit, ata shkojnë te banka disa minuta para se atje të vijnë vjedhësit e vërtetë dhe i shohin të gjitha. I ndjekin hajdutët deri tek vendi ku e fshehin kasafortën, tek një varr në njërën prej varrezave të qytetit. Për të gjitha këto vënë në dijeni detektivin Përç i cili me ndihmën e djemve arrin të kapë vjedhësit e vërtetë të bankës dhe të nxjerë nga burgu shokun e xha Nunit.
Të ngacmuar nga libri mbi Robinson Kruzonë, djemtë vendosin të shkojnë në Ishullin e Pabanuar dhe të takojnë Robinsonin. Me anë të Kronosit, mbrenda pak çastesh ata ndodhen në ishull. Të habitur, pasi asnjëri prej tyre nuk ka parë det, ata lënë rrobat në ranishtë dhe hidhen të gëzuar në valët e oqeanit. Pasi freskohen dhe dalin në rërë, befas shohin plot tmerr se rrobat e tyre janë zhdukur dhe bashkë me të edhe Kronosi. Në vend rrobave shohin disa gjurmë njeriu. Vrapojnë pas tyre deri tek një kep, përtej të cilit shohin një trumbë njerëzish të egër që hedhin valle rituale. Të strukur pas shkëmbinjve djemtë vëzhgojnë të egrit deri sa vjen perëndimi i diellit, u hipin fellukeve të tyre dhe zhduken në horizont.
Dëshpërimi i djemve nuk ka kufi. Pa Kronosin ata nuk mund të kthehen as në kohën e tyre, as në qytetin e tyre.
WENN DAS LEBEN IST SO KURZ - roman 525 Seite / faqe
- botimi në gjermanisht i romanit "Nëse jeta është kaq e shkurtër"- 

Übersetz Erika Beermann


Tirana Anfang der 90er Jahre des 20. Jahrunderts. Die Einführung der Demokratie in Albanien geht einher mit ausufernder Korruption und Bereicherung einiger weniger Skrupelloser auf der einen Seite und völliger Verarmung, schlimmstenfalls sogar Verwahrlosung breiter Schichten der Bevölkerung, gerade auch unter Intelektuelle.
Ruben Matlia, Redakteur einer angesehenen Literaturzeitschrift, teilt sich mit Schwester und Nichte eine 1- Zimmer-Wohnung, empfindet Kartoffeln mittlerweile als Festessen und hat jegliche Hoffnung aufgegeben, das die Manuskripte, die sich in seinem Büro stapeln, je in Druck gehen werden: Papiermangel, so heißt es offiziell. Er sieht keine Chance mehr im eigenen Land und will es um jeden Preis verlassen.
Sein erster Versuch mit einer Fähre nach Italien scheitert – zu seinem Glück, wie er vorübergehend glaubt, als er Diana kennenlernt, eine junge Studentin, die mit ihren Gedichten hoffnungsvoll in seiner Redaktion auftaucht. Die Romanze entwickelt sich jedoch für beide enttäuschend: Der Held erweist sich einerseits als höchst inkonsequent, indem er den traditionellen Vorstellungen seiner konservativen Erziehung nachtrauert, die insbesondere Frauen im Umgang mit dem anderen Geschlecht Zurückhaltung auferlegt, andererseits jedoch keine Gelegenheit zu einem ausgiebigen Schäferstündchen a uslässt: seine Partnerin hingegen erwartet vom ersten Rendezvous an, dass er sich öffentlich zu ihr bekennt, wozu er nicht bereit ist. Die Beziehung endet mit Rubens Ausreise: Nach endlosen abenteuerlichen Versuchen, in den Besitz der erforderlichen Papiere zu kommen, sitzt Matlia zu guter Letzt in einer Maschine Richtung München.
Faszinierend für den deutschen Leser wirkt der Roman dadurch, dass hier ein Leben Farbe und Abenteuer bekommt, von dem man in Deutschland kaum mehr weiß, als dass es ärmlich sein muss. Das Buch ist reich an Tragik, Komik und Tragikomik, und der Autor weiß, wovon erzählt: teilt er doch in Vielem das Schicksal seines Helden.


Erika Beermann
Übersetzerin


NËSE JETA ËSHTË KAQ E SHKURTËR - roman 520 faqe

Është romani i tretë në radhën e vargut prej pesë romanesh të serisë “Në kërkim të Eldorados” i cili zë fill mesnatën e kthimit nga Bari i Italisë ku Rubeni kish vajtur me eksodin e anijes “Vlora”. Ai është i mbushur plot përshtypje nga brigjet e bukura të bregdetit italian si dhe nga qyteti i Barit të cilin e pa për disa ditë me radhë nga bedenat e stadiumit. Ishte kontakti i parë me Botën e Lirë për të cilën ai tashmë ka bërë një betim: ta arrijë dhe ta bëjë të vetën atë botë që sapo ia mohuan. Ndërkaq kriza e gjithanshme që ka pushtuar vendin thellohet gjithnjë e më shumë. Mungon ngrohja, mungon energjia elektrike, mungon puna, deri mungon edhe buka.
Vendin e ka pushtuar kaosi. Është njëfarë Perëndimi i Largët shqiptar. Shteti pothuajse nuk ekziston. Është koha e guximtarëve, e përfituesve, e banditëve të cilët çajnë rrugën dhe bëjnë hapat e para të një rendi të ri, të kapitalizmit. Çdo ditë bëhen dëshmitarë të fenomeneve të rinj të cilët deri dje as që i kishin menduar: ndërmarrjet private, lejimi i fesë, vërshimi nga jashtë i një morie spekulantësh, mashtruesish, predikuesish të gjithfarë feve, sekteve etj. të cilët nxitojnë të vijnë në këtë vend të djerrë dhe pa ligje për të përfituar sa më shumë. Njëherësh shihet si shfytyrohen njerëzit në kushtet e reja të një shoqërie të sapofutur në ekonominë e tregut. Tashmë parametrat e moralit dhe të vlerave njerëzore janë të tjerë. Partishmëria dhe solidariteti i djeshëm është zëvendësuar nga iniciativa private, nga fitimi. Është më i nderuar ai që rrëmben më shumë, që vjedh më shumë, që fiton më shumë.
Rudini vazhdon të takohet çdo mbrëmje me shokët e Tri Pishave. Të gjithë ëndërrojnë të ikin jashtë shtetit. Mundësisht sa më larg vendit të tyre në të cilin u rritën dhe po jetojnë me aq privime. Dikur ai ia arrin të gjejë një mundësi blerje të dy vizave për në Gjermani. Çmimi i blerjes është tepër i lartë: sa të gjitha kursimet e një jete të tërë, por ai vendos pa u lëkundur. Bashkudhëtar në këtë largim i bëhet njëri prej shokëve, Nikolini dhe një ditë të bukur maji ata hipin aeroplanin drejt Gjermanisë. Ikin, si dy gurë hobeje të flakur në ajër të cilët nuk dihet ku do bien dhe në cilën derë do trokasin kur të vijë mbrëmja.

VIZITORI I ÇUDITSHËM - roman 207 faqe

Është verë e nxehtë. Kohë pushimesh shkollore. Një ditë në shtëpinë e teto Varvarës, një plake që jeton e vetmuar, vjen një vizitor i cili me pamjen dhe sjelljen e tij të çuditshme zgjon dyshime. Cili mund të ishte ai? Ndonjë keqbërës që ka ardhur në qytetin e tyre të largët e të vogël, pothuaj fshat, për t'u fshehur? Apo edhe më keq, ndonjë vrasës?
Këto dyshime ka Pipkoja, njëri prej djemve i cili vendos ta përgjojë bashkë me shokët dhe po të jetë e nevojshme, të lajmërojnë policët e rreptë Refik dhe Tefik.
Por fatmirësisht Vizitori i Çuditshëm nuk është i tillë. Përkundrazi. Ai është njeri shumë i sëmurë i cili ka ardhur atje me këshillën e mjekëve për qetësi dhe klimë malore. Mbi të gjitha ai është shkencëtar. Ky zbulim i papritur u zgjon kureshtjen djemve, sidomos Pipkos i cili si gjest pendimi për dyshimet e kota që kish ngritur në fillim kundër atij njeriu të sëmurë, nis të afrohet dhe të miqësohet me të.
Ndërkaq çdo ditë e më tepër sëmundja e Vizitorit të Çuditshëm zë e rëndohet, deri sa një natë pëson një krizë të rëndë. Të nesërmen, ai u beson djemve të fshehtën e vet: i tregon Kronosin, një aparat fare i vogël i shpikur prej tij me të cilin brenda pak çastesh mund të shkohet në vende të ndryshëm: në të kaluarën apo në të ardhmen.
Të nesërmen djemtë mësojnë se gjendja e Vizitorit të Çuditshëm ishte keqësuar aq shumë, saqë natën e kish marrë autoambulanca dhe e pat shpënë urgjent në njërin prej spitaleve të kryeqytetit.
Me një arsye të trilluar djemtë shkojnë në shtëpinë e teto Varvarës, hyjnë në dhomën ku kish banuar Vizitori i Çuditshëm dhe marrin fshehurazi Kronosin.
Këtu fillojnë aventurat të cilat nuk do mbarojnë deri në faqen e fundit të romanit të fundit.
DEDE ODER DER BRIEF
I DEDE I PONEMENI
DEDJA OSE LETRA  - novelë në gjermanisht, greqisht, shqip - 92 faqe
I TILLË ISHTE TURIARIU - roman për teenager 234 faqe

Janë ditë pushimesh verore dhe djemtë e Lagjes Brazil, siç e quajnë mëhallën e tyre të vjetër, janë të etur për lojëra dhe aventura. Ata hidhen pa iu dridhur qerpiku drejt gjithçkaje që premton zbavitje. Veçanërisht Pipkon dhe Turiariun i tërheqin gjërat e vjetra të cilat i futin në një botë të çuditshme, plot me të panjohura. Dhe me gjëra të vjetra është i mbushur plot qilari i xha Fanit. Hyjnë fshehurazi në të dhe nisin të rrëmojnë nëpër lloj-lloj rangullash e sendesh të pluhrosura, deri sa papritur Turiariu gjen një aparat fotografik të vjetër, gjë që e bën të plasë nga zilia shokun e tij, Pipkon. Prej atij çasti dy djemtë kanë vetëm një dëshirë: të bëhen fotografë. Të nxjerin fotografi me aparatin fotografik që gjetën te qilari i xha Fanit. Por nuk dinë si bëhet kjo punë. Për këtë nisin të gjurmojnë fotografin e qytetit të vogël, xha Jankon për të mësuar sekretin e nxjerjes së fotografive. Vënë re se xha Jankoja kur e mbush filmin me fotografi, futet në studion e tij me perde krejt të mbyllura, për të mos iu djegur filmi nga drita. Kjo mënyrë e fshehtë u zgjon dyshime djemve. Me kokat të mbushura me lloj-lloj historish spiunësh të lexuara në libra dhe të para në filma, ata besojnë se xha Jankoja me siguri është ndonjë spiun i cili gjoja nxjer njerëz në fotografi, por në të vërtetë fotografon kodrën mbi qytet ku ndodhet një pikë ushtarake me mitraloza kundërajrorë. Duke ndjerë një rrezik të madh, djemtë vendosin ta ndjekin spiunin dhe po ta dojë puna të përleshen për jetë a vdekje me të, madje edhe të japin jetën, duke u bërë shembull trimërie për të gjithë nxënësit e shkollës.
Pas shumë situatash komike, dështimesh, pësimesh e zhgënjimesh, djemtë më në fund e kuptojnë arsyen e punës në errësirë të fotografit. Arrijnë ta riparojnë aparatin e vjetër fotografik dhe të bëjnë edhe fotografinë e parë, në çastin kur dy djem të tjerë kanë arritur të ndërtojnë një aeroplan prej koshi triçikli të mbetur nga koha e Luftës dhe hidhen në fluturimin e parë. (lidhet me romanin tjetër “Ëndrra të mëdha”)
AJËR I KULLUAR - tregime e novela 172 faqe

(fitues i Çmimit të Parë për Novelë)
AI QË S'U NDREQ KURRË - roman 520 faqe.

Një roman që trajton problemin e raportit të individit me shoqërinë.
I lindur në kohën e krizës së pasluftës me mungesa të skajshme, ardhja e Mitros në jetë nuk u prit me gëzim në familje. Një gojë më shumë për t'u ushqyer, një trup më shumë për t'u veshur, një hall më shumë. Për më tepër ai është fëmijë që vetëm qan dhe urinon vazhdimisht. Me sa duket, edhe me probleme në zhvillim. Për këtë arsye, motra dhe vëllai më i madh i rrinë ftohët dhe e shohin me përbuzje, qëndrim i cili do pasohet edhe tek fëmijët e tjerë që do vijnë më vonë.
Askush nuk meret me të. Askush nuk i kushton vëmendje Mitros. Të vetmet raste kur i kushtojnë vëmendje janë rastet e gabimeve dhe fajeve të tij. Atëhere ndëshkimi vjen i menjëhershëm dhe i ashpër. Rrahje deri në marje fryme. Siç pritej, Miroja nuk mëson në shkollë. Duke mos gjetur shokë më të mirë, ai shoqërohet me shokë të këqinj. Djem që ikin fshehurazi nga shkolla. Që vjedhin misra e fruta dhe bëjnë jetë kaçakësh.
I lënë jashtë vëmendjes dhe i përçmuar nga të gjithë, Mitroja vazhdon të rrëshqasë. I ngjan dikujt të rënë në një gropë të mbushur me batak për të cilin ka dy mundësi: ose të dalë nga bataku në sajë të një dore ndihme të zgjatur nga lart, ose të zhytet më tepër në batak. Dorën e ndihmës nuk ia zgjati askush dhe ai vazhdoi zhytjen e tij. Bie në burg për faje të të tjerëve. Gjatë viteve të burgut ai ka kohë të bollshme për të reflektuar ndaj të metave, gabimeve dhe fajeve të tij. E ndjen se duhet të ndërrojë rrugë. Të harrojë të kaluarën dhe shokët e këqinj dhe të zërë udhën e mirë, siç e këshillon vazhdimisht e ëma gjatë vizitave që i bën.
Pas katër vjetësh Mitroja del nga burgu dhe kthehet në shtëpi, me shpresën se gjatë atyre katër vjetëve bashkëqytetarët do ta kishin harruar të kaluarën e tij. Por jo. Që ditën e parë bindet se për shoqërinë ai kish mbetur dhe do mbetej po ai Mitroja i dikurshëm, me të gjitha veset dhe të kaluarën e njollosur të tij.
Mitroja vazhdon të mbetet i përjashtuar dhe i braktisur. Askush nuk e afron. Që prej motrave dhe vëllezërve të cilët ndjehen të turpëruar prej tij. Katër vitet e ashpër të burgut e kanë dëmtuar shëndetin e tij të brishtë. Punon në zdrukthtari, duke mbajtur gjithë ditë dërrasa të rënda, një punë Sizifi që e shkatërron përfundimisht shëndetin e tij të dobët. I vjen të ankohet, por nuk guxon. E di që tek askush, ndoshta përveç të ëmës, nuk do gjejë mirëkuptim. Njëherësh ai ka shpirt autokritik dhe vuajtjet në punë i pranon si formë vetëdënimi për të kaluarën e tij.
Bën përpjekje të dëshpëruara të ndreqet, të përmirësohet, por në këto përpjekje gjithnjë ka përballë një shoqëri që nuk ia harron të kaluarën dhe gjithnjë ka një palë dhëmbë të mprehtë për të sa herë paraqitet rasti.
Vjen një ditë kur trupi i tij i handakosur nuk mund ta përballojë më punën e rëndë dhe bie pa ndjenja në punë e sipër, gjë që nga kolegët, përgjegjësat dhe deri tek mjeku i qytetit meret si simulim, për t'iu shmangur punës. Kur detyrohen të kuptojnë dhe pranojnë gjendjen e tij shëndetsore të vajtur në gradë të fundit, është tepër vonë. Mitroja vdes, i qarë nga e ëma, e vetmja që e deshi  dhe e përkrahu pa rezerva në këtë jetë. Në varrimin e tij përgjegjësi i zdrukthtarisë mban fjalim mjaft prekës, duke thënë se kolektivi punonjës do ta ndjejë shumë mungesën e Mitros, punëtorit të palodhur e të pakursyer. Po ashtu edhe doktor Lulushi që nuk i zinte besë dhe në recetë si emër diagnoze gjithnjë shënonte fjalën simulant, tha se mjekësia bëri të pamundurën, por Mitron e tyre të dashur nuk mundi ta shpëtonte dot.
Mitroja ishte njeri me halle, me probleme e me të meta. Që në rrugën e jetës së tij pati nevojë për zgjatjen e një dore ndihme, dorë të cilën shoqëria asnjëherë nuk ia zgjati dhe gjithnjë ia mohoi.
TRE MUAJ PLOT ME TË DIELA - roman për teenager 216 faqe.

Është dita e fundit e vitit shkollor. Të nesërmen fillojnë tre muaj pushimesh të cilat premtojnë lojëra e zbavitje të pafund. E mësuar t’i mbajë nën kontroll të rreptë edhe gjatë pushimeve verore, mësuese Lenka i fton djemtë që gjatë ditëve të pushimeve të shkojnë në shkollë dhe të zbaviten duke zgjidhur ushtrime e probleme, gjë që djemve u shkakton vetëm të qeshura dhe tallje. Ditët e pushimeve ata i kalojnë siç ua ka qejfi dhe me ato lojëra që u japin më shumë kënaqësi: disa lozin lojëra të ndryshme, disa hidhen nga lartësia në kashtë, disa ngjiten në mal dhe futen në pyll, disa shkojnë në lumë për t’u larë, të tjerë u qepen qerreve e karrocave nga pas dhe koloviten, lojëra të rrezikshme prej të cilave jo rrallë edhe e pësojnë keq. Në qendër të romanit janë dy djem të cilët duan të bëhen filatelistë. Mbledhin pulla duke shkuar shtëpi në shtëpi, gjë që shpesh e paguajnë mjaft shtrenjt të ndjekur nga qentë e shtëpive. Aq të dhënë janë pas pasionit të tyre saqë pranojnë me shumë dëshirë të shpërndajnë të gjitha letrat e postieres tepër të shëndoshë Androni, kundrejt pullave që mbajnë zarfat. Ndërkohë vrasin mendjen si ta shtojnë dhe pasurojnë koleksionin e tyre të pullave dhe arrijnë të shpikin një mënyrë për të bërë pulla serie, dmth e njëjta pullë të jetë në ngjyra të ndryshme. Këtë e bëjnë duke i zier pullat, të cilat gjatë zierjes i ndryshojnë ngjyrat. Kjo i bën djemtë të besojnë se ata do kenë koleksionet më të pasura të pullave në botë, gjë që i bën të lumtur.
DURIMI DHE ZEMËRIMI I NJË QYTETARI TË URTË - roman 426 faqe

K roman është një parodi e socializmit në të cilin gërshetohen dhe ecin paralel tragjikja dhe komikja. Në thelb të tij është ideja e punës së papaguar në socializëm, ku njerëzit e thjeshtë ngopen me lugë bosh, me citate, me iluzione dhe me ëndrra në diell. Ku ashtu siç thuhet në dedikim: u përpoqën të vinin në lëvizje një lokomotivë pa rrota.
Në qendër të romanit është Modesti, postieri i një qyteti të vogël e të largët. Është njeriu i shfrytëzuar dhe i tallur, bartësi dhe vuajtësi i idealeve utopike komuniste dhe si i tillë një lloj Don Kishoti modern i socializmit.
Naiv e mirëbesues ai punon prej vitesh pa u lodhur, ditë e natë, në kohë të mirë e të keqe. Si shpërblim për punën e zgjatur, kohë më kohë ai merr nga drejtoria një Fletë-Lavdërimi, Fletë Nderi apo Certifikatë të cilat i japin forca të reja për të punuar pa u lodhur edhe për disa muaj të tjerë. Dhe kur forcat i shterin dhe ai përgatitet të shpërthejë, drejtoria i akordon një Fletë Lavdërimi, Nderi, Certifikatë tjetër e cila e bën postierin të lumtur dhe i jep forca për të vazhduar punën më tej.
Fletët e Lavdërimit, Nderit dhe Certifikatat të cilat janë krenaria e tij, Modesti i mbërthen në muret e dhomës së ndenjies. Me kalimin e viteve ato shtohen aq shumë sa nuk ka vend më në mure. Modesti është i pasur në Fletë Lavdërimi, por i varfër me... Ai ka vetëm një palë pantallona të cilat ia lan guraja në mbrëmje, ia than natën mbi tubin e stofës për t’i patur në mëngjes t’i veshë.
Për ta pasur në çdo çast nën urdhër, drejtoria i instalon Modestit në shtëpi një telefon të cilit i funksionon vetëm pjesa e dëgjimit. Pra vetëm për të marrë urdhër për t’u paraqitur në punë në çdo kohë dhe pa pasur mundësi të kundërshtojë.
Në çdo fund viti Modesti u dërgon të gjitha institucioneve të kryeqytetit dhe njerëzve me poste në qeveri kartolina ku u uron Vitin e Ri prej të cilave merr edhe ndonjë përgjigje. Papritur një ditë ai merr një kartolinë nga Kryeministri, ose më saktë, vetëm të firmosur prej tij dhe të dërguar nga sekretaria.
Habia e Modestit është e paanë. Lumturia e tij është pakufi. I kredhur në një det lavdie ai për ditë të tëra bredh nëpër qytet dhe ua tregon të gjithëve kartolinën që ka marrë nga Kryeministri e cila në atë qytet të vogël e të largët provincial bën efekt fetishizues. Të gjithë fillojnë të sillen me respekt ndaj postierit dhe besojnë se si mik i Kryeministrit ai është në gjendje të zgjidhë hallet e problemet e qytetit dhe të qytetarëve.
Me këtë vrull Modesti fillon me iniciativën e tij kontrollin nëpër ndërmarrjet e qytetit. Atje ku vë re ndonjë buzëqeshje tallëse e mosbesuese, ai menjëherë nxjerr kartolinën e Kryeministrit. Në këto bredhje prej Komisari të Popullit, Modesti ushtron kontroll, duke lënë diku detyra për ndreqjen e të metave, diku paralajmërime e diku shkarkime nga puna të drejtuesve.
Por nuk janë të gjithë që besojnë në mirazhin e pushtetit të tij. Këta janë drejtuesit e qytetit: instruktori Laver, operativi Xhezmi dhe masoviku Çapajev të cilët duke u hequr sikur besojnë në miqësinë e postierit me Kryeministrin, fillojnë të tallen me Modestin duke i ushqyer iluzionin e pushtetit.
Nga dita e marrjes së kartolinës Modesti fillon një letërkëmbim të gjatë me mikun e tij Kryeministër e cila natyrisht është e njëanshme. Mungesën e përgjegjeve të Kryeministrit Modesti e shpjegon me punët e shumta të mikut të tij në dobi të shtetit, të rajonit dhe më gjerë. Në këto letra Modesti e vë në dijeni mikun e tij të lartë për jetën e problemet poshtë në bazë si dhe për ndjenjat, dëshirat, ëndrrat dhe planet e tij dhe të familjes së tij. Në qëndër të këtyre letrave është problemi i strehimit. Modesti ka dymbëdhjetë vjet që punon me punë vullnetare për ngritjen e apartamenteve në të cilët kurrë nuk arrin të marrë zgjerim, megjithëse punon më shumë se të gjithë dhe është më ngushtë se të gjithë.
Në këtë korrespondencë e cila do vazhdojë gjatë gjithë romanit është interesante të vihet re grafiku i gjendjes shpirtërore të Modestit. Ajo fillon me nota të larta gëzimi dhe optimizmi dhe degradon në gjendje zhgënjimi të hidhur e mjerimi.
Me durim të sosur, i ngopur deri në fyt nga premtimet dhe gënjeshtrat e hapura që i bëjnë, ai më në fund shpërthen kundër instruktorit Laver të cilin e ka nderuar e respektuar gjithë jetën. Vendos të shkojë në kryeqytet dhe t’ia tregojë mikut të tij Kryeministër të gjitha padrejtësitë që i janë bërë atij dhe të tjerëve.
Kaq i bindur është Modesti në qënien mik i Kryeministrit, saqë nuk u lë asnjë dyshim rojeve e nëpunësve të Kryeministrisë dhe të gjithë e marrin për një mik të vërtetë të Kryeministrit. E lënë të shkojë në zyrën e tij. Modesti ngjit shkallët dhe ec drejt zyrës. Në sup ka një çantë me disa dhurata të vogla nga fshati. Hap derën dhe… Më në fund pas kaq vitesh korrespondence ai është ballë për ballë me mikun e tij të lartë: Kryeministrin!
Turret me vrap drejt tij ta përqafojë por… shtanget i habitur! Në vend që të gëzohet, miku i tij alarmohet dhe fshihet nën tavolinë nga frika, duke kujtuar se dikush ka ardhur t’i bëjë atentat. Kryeministri bërtet në panik dhe thërret rojet të cilët hyjnë dhe e vënë poshtë me duar të përdredhura Modestin i cili thërret në kupë të qiellit se është keqkuptim. Se ai është miku i Kryeministrit dhe se ai deshte vetëm ta përqafonte dhe jo ta sulmonte.
Romani mbyllet me një epilog të trishtueshëm. Është përsëri Vit i Ri. Nga qelia e burgut Modesti i shkruan një kartolinë urimi Kryeministrit dhe pret me besim që papritur dera të hapet dhe të shohë mikun e tij Kryeministër që ka ardhur ta nxjerrë nga burgu.

DITARI I BERSALIERIT TË VRARË 

URA QË LIDH DY BRIGJE 2/2 - roman 207 faqe

Të paduruar djemtë dhe vajzat pyesin përditë postierin e qytetit a kishte ndonjë letër për ta. Një ditë ata marin lajmin e shumëpritur prej postierit. Po. Për ta kishte një letër nga Italia. Ia rrëmbejnë nga dora postierit dhe shkojnë nën degët e kumbullës për ta lexuar. Në zarf gjejnë tre letra. E para ishte një letër shumë mallëngjyese nga gruaja e tenentes e cila u lutet t’ia dërgojnë çantën me sendet personale të burrit të saj për t'i patur kujtim. Letra e dytë ishte nga ai djali i vogël, biri i tyre Mikelja, tashmë burrë. Ndërsa letra e tretë ishte nga nipi i gruas së tenentes dhe biri i Mikeles, një djalë në moshën e tyre, me emrin e shkurtuar Pepe.
Që të nesërmen djemtë ia postojnë çantën dhe sendet e tjera gruas së tenentes. Në të fusin edhe tre letra: për teta Xhinën, gruan e tenentes, për xhaxhi Mikelen dhe për birin e tij Pepen.
Pepja u përgjigjet menjëherë me një letër të gjatë ku i tregon për veten dhe për shokët e tij, çfarë pëlqen dhe çfarë nuk pëlqen, si po i kalojnë pushimet e verës e plot gjëra të tjera. Sapo lexojnë letrën, djemtë vihen t’i kthejnë një përgjigje dy herë më të gjatë ku i shkruajnë për veten e tyre, për nofkat dhe kuptimin e tyre, për lojërat dhe paudhësitë e tyre gjatë pushimeve verore. Nis kështu një letërkëmbim i përzemërt gjatë të cilit nga letra në letër ata bëhen shokë dhe miq.
Pasi disa këmbime letrash, djemtë vendosin t'i ftojnë miqtë nga Italia në qytetin e tyre të vogël. Ftesën e tyre teta Xhina, xhaxhi Mikelja dhe Pepja e presin me shumë kënaqësi dhe e pranojnë ftesën. Bashkë me ta në qytetin e vogël vjen edhe motra e vogël e Pepes si dhe dy shokë të dikurshëm të tenentes në kohën e Luftës: Luixhi dhe Vinçencoja të cilët përmenden shpesh në ditarin e tenentes. Me vete kanë sjellë edhe dhurata për të gjithë djemtë e Lagjes Brazil. Takohen si miq të vërtetë. Të mëdhenjtë kujtojnë me trishtim kohën e Luftës dhe shkatërrimet e fatkeqësitë që solli ajo. Lufta, përroi që ndan popujt. Djemtë hidhen në lojëra duke pasur midis tyre edhe Pepen.
Banorët e qytetit të vogël kalojnë disa ditë të këndshme me miqtë e largët të cilët në sajë të djemve nga armiq të dikurshëm tani janë kthyer në miq.
Është Lufta, përroi që ndan popujt.
Është Miqësia, ura që lidh popujt.
DITARI I BERSALIERIT TË VRARË (në dy libra)

PËRROI QË NDANTE DY BRIGJE 1/2 - roman 213 faqe

Janë ditë pushimesh verore. Djemtë e Lagjes Brazil janë ngjitur në korije. Duke luajtur gjejnë në një guvë një çantë të vjetër ushtari gjysmë të kalbur. Të nxitur nga kureshtja ata e hapin për të parë çfarë ka në të. Në çantë ka disa sende personale: lugë, gavetë, vegla rroje, furçë dhëmbësh etj. si dhe një tufë me letra e fotografi nga familja e tij, midis të cilave një fotografi gruaje të re me emrin Xhina dhe ajo e një djali në moshën e tyre me emrin Mikele. Në çantë djemtë gjejnë edhe një bllok shënimesh, ku mbajtësi i çantës kish mbajtur ditarin.
Letrat dhe ditari ishin shkruar në italisht, gjë që i bën djemtë të besojnë se çanta i përkiste ndonjë ushtari italian të vrarë në kohën e Luftës.
Ajo çantë ushtari të huaj u nxit fantazinë djemve. I duket sikur u vijnë në veshë dhe u shfaqen para syve jehonat e ngjarjet e Luftës të cilat i njohin vetëm nëpërmjet tregimeve të të moshuarve, librave dhe filmave. Janë kureshtarë të dinë çfarë ka shkruar në ditar ushtari italian. Dhe këtu ata kanë fat, pasi midis tyre është edhe Andi, një djalë i ardhur nga kryeqyteti për të kaluar pushimet verore tek gjyshja i cili është duke ndjekur një kurs të gjuhës italiane në qytetin e tij.
Që atë ditë djemtë, por edhe disa nga vajzat mblidhen poshtë degëve të një kumbulle në mes të një kopshti, larg syve të njerëzve dhe ia nisin leximit të ditarit. Në fillim ata mendojnë dhe besojnë se mbajtësi i ditarit ishte thjesht një pushtues dhe si i tillë, njeri i keq që vetëm duhej urryer. Por faqe pas faqeje, gjatë leximit ata vënë re se tenentja ishte njeri i mirë dhe paqësor, i cili kish ardhur në vendin e tyre kundër dëshirës.
I shkruajnë letër gruas së tij në Itali dhe e njoftojnë për gjetjen e çantës së burrit të saj.
Djemtë dhe vajzat presin me padurim përgjigjen nga Italia plot me hamendje dhe me pasiguri. A kishte vajtur letra tek gruaja e tenentes së vrarë? Kishin kaluar gjithë ata vjet dhe ajo mund të kish vdekur. Ose, edhe nëse ishte ende gjallë, ajo mund të kish ndërruar adresë disa herë gjatë atyre viteve dhe ata ndoshta prisnin më kot përgjigje prej saj.
E BARDHË, E BRISHTË SI KRISTAL DËBORE - roman 462 faqe

Adrianit
zemra e të cilit pushoi së rrahuri
në çastin kur filloi të rrihte nga
dashuria
  
                                                                                             Autori

E bardhë, e brishtë si kristal dëbore. E tillë është mosha e adoleshencës, mosha e personazheve të këtij romani.
Ngjarjet zhvillohen në një qytet të vogël e të largët i cili gjatë muajve të dimrit bllokohet nga dëbora dhe lajmet që vijnë nga bota e madhe arrijnë të vonuar dhe të deformuar.
E megjithatë edhe këtu gjallon jeta. Në qendër të romanit janë një grup djemsh në adoleshencë, jeta e të cilëve do vazhdonte përjetësisht e përgjumur sikur një ditë të mos ndodhte diçka e pazakonshme. Në klasën e tyre vjen një vajzë me emrin Ana e cila ka dy gjëra të mjafta për t'i magjepsur: e para, ajo është e bukur. E dyta, ajo vjen nga kryeqyteti të cilin asnjëri prej djemve nuk ka patur fatin të ketë qënë.
Që në ditët e para ata ndjehen të dashuruar me Anën. Është dashuri e pafajshme dhe e dëlirë. Naive dhe gati qesharake, ashtu siç janë dashuritë e para në këtë moshë. Për herë të parë nisin t'i kushtojnë vëmendje veshjes, krehjes së flokëve dhe sjelljes së tyre. Për herë të parë zënë të festojnë ditëlindjet, madje nga dy e tri herë në vit, vetëm për të patur mundësi të vallëzojnë me Anën. Kush do ta fitojë Anën? Rivaliteti midis djemve është i ashpër: që nga notat në mësime e shkathtësia në orën e fizkulturës dhe deri tek veshja e madje edhe tek punët që bëjnë prindërit. Sidomos, cili do bëjë poezi më të gjata për të.
I dashuruar me Anën është edhe personazhi kryesor, e vetmja pikë e fortë e të cilit është leximi i romaneve. Por ai nuk ka asnjë shans: nuk është i pari i klasës në mësime, nuk është i bukur sa të tjerët dhe sidomos: i veshur keq, me rrobat e vëllezërve më të mëdhenj. E dashuron Anën në heshtje. I lumtur dhe i mjerë njëherësh.
Me Anën e lidh jo vetëm banka e përbashkët në klasë, por edhe pasioni për të lexuar libra, gjë që i afron shpirtërisht. Ata i huajnë libra njëri-tjetrit, i rekomandojnë libra njëri-tjetrit, flasin çdo ditë për librat që lexojnë. Kështu në roman ecin paralel dy linja dashurie: linja e dashurisë për librat dhe linja e dashurisë për Anën. Romanit nuk i mungon ngarkesa dramatike, madje edhe tragjikja. Atë e tensionon vrasja aksidentale e njërit prej personazheve, Adrianit i cili me sa duket, e dashuronte më tepër se të gjithë Anën, si një theror dashurie i kërkuar nga Kiprida (perëndesha e dashurisë)
Kjo vrasje përjetohet thellë e dhimbshëm nga djemtë. E megjithatë jeta përsëri vazhdon. Është fund dimri. Fund adoleshence. Dimri është i bardhë. E bardhë është edhe mosha e adoleshencës, mosha e dashurive të fshehta e të heshtura të cilat në të shumtën e herës mbeten të pashprehura.
Dimri është në të dalë. Nga çatitë kullojnë pikat e dëborës që shkrin, paralajmëtare të pranverës dhe hyrjes në një moshë të re.