Sonntag, 19. Januar 2020

I TILLË ISHTE TURIARIU - roman për teenager 234 faqe

Janë ditë pushimesh verore dhe djemtë e Lagjes Brazil, siç e quajnë mëhallën e tyre të vjetër, janë të etur për lojëra dhe aventura. Ata hidhen pa iu dridhur qerpiku drejt gjithçkaje që premton zbavitje. Veçanërisht Pipkon dhe Turiariun i tërheqin gjërat e vjetra të cilat i futin në një botë të çuditshme, plot me të panjohura. Dhe me gjëra të vjetra është i mbushur plot qilari i xha Fanit. Hyjnë fshehurazi në të dhe nisin të rrëmojnë nëpër lloj-lloj rangullash e sendesh të pluhrosura, deri sa papritur Turiariu gjen një aparat fotografik të vjetër, gjë që e bën të plasë nga zilia shokun e tij, Pipkon. Prej atij çasti dy djemtë kanë vetëm një dëshirë: të bëhen fotografë. Të nxjerin fotografi me aparatin fotografik që gjetën te qilari i xha Fanit. Por nuk dinë si bëhet kjo punë. Për këtë nisin të gjurmojnë fotografin e qytetit të vogël, xha Jankon për të mësuar sekretin e nxjerjes së fotografive. Vënë re se xha Jankoja kur e mbush filmin me fotografi, futet në studion e tij me perde krejt të mbyllura, për të mos iu djegur filmi nga drita. Kjo mënyrë e fshehtë u zgjon dyshime djemve. Me kokat të mbushura me lloj-lloj historish spiunësh të lexuara në libra dhe të para në filma, ata besojnë se xha Jankoja me siguri është ndonjë spiun i cili gjoja nxjer njerëz në fotografi, por në të vërtetë fotografon kodrën mbi qytet ku ndodhet një pikë ushtarake me mitraloza kundërajrorë. Duke ndjerë një rrezik të madh, djemtë vendosin ta ndjekin spiunin dhe po ta dojë puna të përleshen për jetë a vdekje me të, madje edhe të japin jetën, duke u bërë shembull trimërie për të gjithë nxënësit e shkollës.
Pas shumë situatash komike, dështimesh, pësimesh e zhgënjimesh, djemtë më në fund e kuptojnë arsyen e punës në errësirë të fotografit. Arrijnë ta riparojnë aparatin e vjetër fotografik dhe të bëjnë edhe fotografinë e parë, në çastin kur dy djem të tjerë kanë arritur të ndërtojnë një aeroplan prej koshi triçikli të mbetur nga koha e Luftës dhe hidhen në fluturimin e parë. (lidhet me romanin tjetër “Ëndrra të mëdha”)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen