Sonntag, 19. Januar 2020

ËNDRRAT TRETEN NË MËNGJES - roman 525 faqe


"....“Ëndrrat treten në mëngjes“ me një tension dramatik të nderë, ku jepet mjeshtërisht drama rrënqethëse e njerëzve që braktisnin vendin në kërkim të një jete tjetër të mirë, të një ëndrre të largët që të kujton “Vilet e zemërimit“ të Xhon Shtajnbekut, veçse amerikani i madh ngjarjen e ka në tokë, kurse Thanas Jorgji në det e në tokë. Në këtë tragjedi emigrimi gati biblik, shkrimtari vizaton një galeri të tërë tipash e karakteresh me jetën dhe fatet e tyre, i vizaton haptazi pa fshehur asgjë dhe pa drojtjen e asnjë shënje turpi. Në kazanin e eksodit që ai na nxjerr përpara, valojnë epshet dhe egërsitë, ndjenjat e pastra që përdhosen, çmenduritë dhe mençuritë, cinizmi dhe keqardhja. Asgjë nuk është bardhë e zi dhe asgjë nuk serviret sipas skemave të njohura të narracionit. Është një copë natyrë e besueshme jetësisht dhe artistikisht. Dhe mes tragjicitetit dhe ashpërsisë së njerëzve, autori fare natyrshëm, si pa kuptuar jep shkëndijat dhe feksjet e shpresës. Kjo përsos harmoninë e materjes artistike bashkë me arkitekturën e veprës.
Unë mund të them me plot gojën se romani “Ëndrrat treten në mëngjes“ është dokumenti i parë artistik për eksodet shqiptare të këtij fundshekulli. Do të shkruhen romane e drama të tjera me metaforën e eksodeve, por kjo vepër e Thanas Jorgjit do të quhet fillimi. Pastaj, të kuptohemi, kjo nuk është histori. Është letërsi e vërtetë që shpreh raportet njerëzore, prandaj vlera është e qëndrueshme dhe me jetë të gjatë.
 

Dritëro Agolli

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen