Sonntag, 19. Januar 2020

VIZITORI I ÇUDITSHËM - roman 207 faqe

Është verë e nxehtë. Kohë pushimesh shkollore. Një ditë në shtëpinë e teto Varvarës, një plake që jeton e vetmuar, vjen një vizitor i cili me pamjen dhe sjelljen e tij të çuditshme zgjon dyshime. Cili mund të ishte ai? Ndonjë keqbërës që ka ardhur në qytetin e tyre të largët e të vogël, pothuaj fshat, për t'u fshehur? Apo edhe më keq, ndonjë vrasës?
Këto dyshime ka Pipkoja, njëri prej djemve i cili vendos ta përgjojë bashkë me shokët dhe po të jetë e nevojshme, të lajmërojnë policët e rreptë Refik dhe Tefik.
Por fatmirësisht Vizitori i Çuditshëm nuk është i tillë. Përkundrazi. Ai është njeri shumë i sëmurë i cili ka ardhur atje me këshillën e mjekëve për qetësi dhe klimë malore. Mbi të gjitha ai është shkencëtar. Ky zbulim i papritur u zgjon kureshtjen djemve, sidomos Pipkos i cili si gjest pendimi për dyshimet e kota që kish ngritur në fillim kundër atij njeriu të sëmurë, nis të afrohet dhe të miqësohet me të.
Ndërkaq çdo ditë e më tepër sëmundja e Vizitorit të Çuditshëm zë e rëndohet, deri sa një natë pëson një krizë të rëndë. Të nesërmen, ai u beson djemve të fshehtën e vet: i tregon Kronosin, një aparat fare i vogël i shpikur prej tij me të cilin brenda pak çastesh mund të shkohet në vende të ndryshëm: në të kaluarën apo në të ardhmen.
Të nesërmen djemtë mësojnë se gjendja e Vizitorit të Çuditshëm ishte keqësuar aq shumë, saqë natën e kish marrë autoambulanca dhe e pat shpënë urgjent në njërin prej spitaleve të kryeqytetit.
Me një arsye të trilluar djemtë shkojnë në shtëpinë e teto Varvarës, hyjnë në dhomën ku kish banuar Vizitori i Çuditshëm dhe marrin fshehurazi Kronosin.
Këtu fillojnë aventurat të cilat nuk do mbarojnë deri në faqen e fundit të romanit të fundit.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen