Sonntag, 19. Januar 2020

NËSE JETA ËSHTË KAQ E SHKURTËR - roman 520 faqe

Është romani i tretë në radhën e vargut prej pesë romanesh të serisë “Në kërkim të Eldorados” i cili zë fill mesnatën e kthimit nga Bari i Italisë ku Rubeni kish vajtur me eksodin e anijes “Vlora”. Ai është i mbushur plot përshtypje nga brigjet e bukura të bregdetit italian si dhe nga qyteti i Barit të cilin e pa për disa ditë me radhë nga bedenat e stadiumit. Ishte kontakti i parë me Botën e Lirë për të cilën ai tashmë ka bërë një betim: ta arrijë dhe ta bëjë të vetën atë botë që sapo ia mohuan. Ndërkaq kriza e gjithanshme që ka pushtuar vendin thellohet gjithnjë e më shumë. Mungon ngrohja, mungon energjia elektrike, mungon puna, deri mungon edhe buka.
Vendin e ka pushtuar kaosi. Është njëfarë Perëndimi i Largët shqiptar. Shteti pothuajse nuk ekziston. Është koha e guximtarëve, e përfituesve, e banditëve të cilët çajnë rrugën dhe bëjnë hapat e para të një rendi të ri, të kapitalizmit. Çdo ditë bëhen dëshmitarë të fenomeneve të rinj të cilët deri dje as që i kishin menduar: ndërmarrjet private, lejimi i fesë, vërshimi nga jashtë i një morie spekulantësh, mashtruesish, predikuesish të gjithfarë feve, sekteve etj. të cilët nxitojnë të vijnë në këtë vend të djerrë dhe pa ligje për të përfituar sa më shumë. Njëherësh shihet si shfytyrohen njerëzit në kushtet e reja të një shoqërie të sapofutur në ekonominë e tregut. Tashmë parametrat e moralit dhe të vlerave njerëzore janë të tjerë. Partishmëria dhe solidariteti i djeshëm është zëvendësuar nga iniciativa private, nga fitimi. Është më i nderuar ai që rrëmben më shumë, që vjedh më shumë, që fiton më shumë.
Rudini vazhdon të takohet çdo mbrëmje me shokët e Tri Pishave. Të gjithë ëndërrojnë të ikin jashtë shtetit. Mundësisht sa më larg vendit të tyre në të cilin u rritën dhe po jetojnë me aq privime. Dikur ai ia arrin të gjejë një mundësi blerje të dy vizave për në Gjermani. Çmimi i blerjes është tepër i lartë: sa të gjitha kursimet e një jete të tërë, por ai vendos pa u lëkundur. Bashkudhëtar në këtë largim i bëhet njëri prej shokëve, Nikolini dhe një ditë të bukur maji ata hipin aeroplanin drejt Gjermanisë. Ikin, si dy gurë hobeje të flakur në ajër të cilët nuk dihet ku do bien dhe në cilën derë do trokasin kur të vijë mbrëmja.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen