Sonntag, 19. Januar 2020

NE QË MUNDËM USHTRINË E SULLTANIT - roman 205 faqe

Megjithëse djemtë e shuan kureshtjen për të parë betejën para mureve të Krujës, përsëri atyre i mbeti një dëshirë e paplotësuar: të takonin prijësin legjendar Gjergj Kastrioti i cili me një ushtri fare të vogël arriti të mundte ushtrinë më të madhe të botës në atë kohë. Me anë të Kronosit djemtë shkojnë tre ditë para se të vijë ushtria armike dhe ta rrethojë kështjellën. Ata kërkojnë të takohen me Gjergj Kastriotin.
Me anë të Kronosit djemtë shkojnë fshehurazi në çadrën e Sulltanit dhe mësojnë planet e tyre për pushtimin e kështjellës të cilat ia tregojnë Gjergj Kastriotit. Duke ditur historinë që kanë mësuar në shkollë, djemtë i tregojnë Komandantit për marrëveshjet e fshehta me pushtuesit të disa njerëzve e vendeve që paraqiteshin si miq dhe aleatë të Krujës. Për shërbimet e vlefshme, Gjergj Kastrioti i falënderon me mirënjohje dhe i bën miq të tij.
Në shenjë miqësie, djemtë e ftojnë Heroin legjendar për një vizitë në kohën e tyre. Me anë të Kronosit djemtë kthehen në kohën reale duke marë me vete edhe Gjergj Kastriotin i cili jeton një ditë në kohën moderne pesëqind vjet më vonë, gjë që e fut në situata mjaft komike. Mbi të gjitha ai sheh me sytë e vet lavdinë me të cilën ai është mbuluar ndër shekuj.
Pasi kthehen në kohën e betejës së famshme, djemtë i luten mikut të tyre që të jenë ata: dhjetë djemtë që të luftojnë kundër ushtrisë njëqind mijëshe të sulltanit. Në pamje të parë kjo duket diçka jashtë logjike, por me ndihmën e Kronosit gjithçka është e mundur. Djemtë shkojnë shumë përpara në kohë. Armatosen me armë moderne dhe vetëm ata të dhjetë asgjësojnë ushtrinë njëqind mijëshe të Sulltanit. Kështjella e Krujës jeton ditë feste. Njerëzit janë të lumtur, ndërsa dhjetë djemtë shihen si heronj nga banorët e Krujës.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen