Sonntag, 19. Januar 2020

AI QË S'U NDREQ KURRË - roman 520 faqe.

Një roman që trajton problemin e raportit të individit me shoqërinë.
I lindur në kohën e krizës së pasluftës me mungesa të skajshme, ardhja e Mitros në jetë nuk u prit me gëzim në familje. Një gojë më shumë për t'u ushqyer, një trup më shumë për t'u veshur, një hall më shumë. Për më tepër ai është fëmijë që vetëm qan dhe urinon vazhdimisht. Me sa duket, edhe me probleme në zhvillim. Për këtë arsye, motra dhe vëllai më i madh i rrinë ftohët dhe e shohin me përbuzje, qëndrim i cili do pasohet edhe tek fëmijët e tjerë që do vijnë më vonë.
Askush nuk meret me të. Askush nuk i kushton vëmendje Mitros. Të vetmet raste kur i kushtojnë vëmendje janë rastet e gabimeve dhe fajeve të tij. Atëhere ndëshkimi vjen i menjëhershëm dhe i ashpër. Rrahje deri në marje fryme. Siç pritej, Miroja nuk mëson në shkollë. Duke mos gjetur shokë më të mirë, ai shoqërohet me shokë të këqinj. Djem që ikin fshehurazi nga shkolla. Që vjedhin misra e fruta dhe bëjnë jetë kaçakësh.
I lënë jashtë vëmendjes dhe i përçmuar nga të gjithë, Mitroja vazhdon të rrëshqasë. I ngjan dikujt të rënë në një gropë të mbushur me batak për të cilin ka dy mundësi: ose të dalë nga bataku në sajë të një dore ndihme të zgjatur nga lart, ose të zhytet më tepër në batak. Dorën e ndihmës nuk ia zgjati askush dhe ai vazhdoi zhytjen e tij. Bie në burg për faje të të tjerëve. Gjatë viteve të burgut ai ka kohë të bollshme për të reflektuar ndaj të metave, gabimeve dhe fajeve të tij. E ndjen se duhet të ndërrojë rrugë. Të harrojë të kaluarën dhe shokët e këqinj dhe të zërë udhën e mirë, siç e këshillon vazhdimisht e ëma gjatë vizitave që i bën.
Pas katër vjetësh Mitroja del nga burgu dhe kthehet në shtëpi, me shpresën se gjatë atyre katër vjetëve bashkëqytetarët do ta kishin harruar të kaluarën e tij. Por jo. Që ditën e parë bindet se për shoqërinë ai kish mbetur dhe do mbetej po ai Mitroja i dikurshëm, me të gjitha veset dhe të kaluarën e njollosur të tij.
Mitroja vazhdon të mbetet i përjashtuar dhe i braktisur. Askush nuk e afron. Që prej motrave dhe vëllezërve të cilët ndjehen të turpëruar prej tij. Katër vitet e ashpër të burgut e kanë dëmtuar shëndetin e tij të brishtë. Punon në zdrukthtari, duke mbajtur gjithë ditë dërrasa të rënda, një punë Sizifi që e shkatërron përfundimisht shëndetin e tij të dobët. I vjen të ankohet, por nuk guxon. E di që tek askush, ndoshta përveç të ëmës, nuk do gjejë mirëkuptim. Njëherësh ai ka shpirt autokritik dhe vuajtjet në punë i pranon si formë vetëdënimi për të kaluarën e tij.
Bën përpjekje të dëshpëruara të ndreqet, të përmirësohet, por në këto përpjekje gjithnjë ka përballë një shoqëri që nuk ia harron të kaluarën dhe gjithnjë ka një palë dhëmbë të mprehtë për të sa herë paraqitet rasti.
Vjen një ditë kur trupi i tij i handakosur nuk mund ta përballojë më punën e rëndë dhe bie pa ndjenja në punë e sipër, gjë që nga kolegët, përgjegjësat dhe deri tek mjeku i qytetit meret si simulim, për t'iu shmangur punës. Kur detyrohen të kuptojnë dhe pranojnë gjendjen e tij shëndetsore të vajtur në gradë të fundit, është tepër vonë. Mitroja vdes, i qarë nga e ëma, e vetmja që e deshi  dhe e përkrahu pa rezerva në këtë jetë. Në varrimin e tij përgjegjësi i zdrukthtarisë mban fjalim mjaft prekës, duke thënë se kolektivi punonjës do ta ndjejë shumë mungesën e Mitros, punëtorit të palodhur e të pakursyer. Po ashtu edhe doktor Lulushi që nuk i zinte besë dhe në recetë si emër diagnoze gjithnjë shënonte fjalën simulant, tha se mjekësia bëri të pamundurën, por Mitron e tyre të dashur nuk mundi ta shpëtonte dot.
Mitroja ishte njeri me halle, me probleme e me të meta. Që në rrugën e jetës së tij pati nevojë për zgjatjen e një dore ndihme, dorë të cilën shoqëria asnjëherë nuk ia zgjati dhe gjithnjë ia mohoi.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen