Mittwoch, 1. September 2021

ERË MJALTI - roman.

Për një çast mbajta këmbët. Jo për t'u çlodhur, po për të admiruar pamjen. Ishte fund maji dhe akaciet ishin në kulmin e lulëzimit. Qe me të vërtetë një pamje e rrallë. Gati një përrallë. Ngado që hidhja vështrimin, syri më zinte akacie të ngarkuara me vilet e luleve të tyre në ngjyrë qumështi si të rënduara nga dëbora, ndërsa përpara këmbëve shtrihej qilimi i butë e i bardhë i luleshqerrave.

Ishte një bardhësi që të merte sytë.

Oh zot, sa bukur! Rrija dhe vështroja i mrekulluar. Si dikush në një përrallë të cilit befas i shfaqet para syve një pyll me bukuri magjepsëse. Kurrë nuk kisha parë aq shumë luleshqerra, aq të dendura dhe në një hapësirë aq të madhe. Dhe kurrë aq shumë akacie të lulëzuara.

Në natyrë shpesh mund të gjesh pika ngjashmërie në të cilat kryqëzohen stinët: arabeskat e akullta në xhama në palcë të dimrit të kujtojnë blerimin e luleve të pranverës, ashtu si bardhësia e luleakacieve të kujton degët të cilave u merr frymën dëbora.

Ndenja disa çaste mëdyshas me druajtjen e njeriut në pragun e një dhome në dyshemenë e së cilës shtrihet një qilim i mrekullueshëm ku ai druhet ose i vjen keq të shkelë.

 


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen