Sonntag, 19. Januar 2020

E BUKURA E PANJOHUR - roman 418 faqe

Ngjarjet zhvillohen në një fshat piktoresk të veshur me pyje pishash, lëndina e përrenj me ujë dëbore të shkrirë në të cilin ka një Shtëpi Pushimi për njerëz me sëmundje mushkërish. Në të vjen për pushime një vajzë e bukur, tipari i së cilës janë flokët e gjatë në ngjyrë gështenje e cila gjatë gjithë romanit do quhet Flokëgështenja. Ajo është shumë kureshtare, disi e çuditshme në dëshirat e trillet e saj. Sidomos e veçantë ajo është në mendime. Flokëgështenja ka shpirt rebel dhe nuk çan kokën për opinionin dhe ç’mendojnë njerëzit rreth saj. Ajo është kureshtare të njohë gjithçka, të provojë gjithçka edhe ato gjëra që janë të rrezikshme për të. Të kolovitet në kolovajzat e fëmijëve, të rrëshqasë me dërrasa si me ski mbi halat e pishave të thata, të kalojë lumin e rrëmbyeshëm duke u hedhur gur mbi gur.
Me të ardhur në Shtëpinë e Pushimit, me kureshtjen që e karakterizon, Flokëgështenja fillon të shëtisë fshatin dhe rënojat e qytetit të dikurshëm mesjetar. Një ditë bashkë me Melin, shoqen e dhomës, ngjiten mbi fshat për të vizituar një manastir me emër të dëgjuar, poshtë mureve të të cilit ka ngritur parkun e bletëve Nashoja. Ndalin përtej telit rrethues të parkut dhe shikojnë me kureshtje si punon mbi zgjojet bletërritësi i ri. Njihen me të. Ai i fton në barakë, i gostit me mjaltë dhe u flet për bletët, për punën e tyre, për organizimin deri në perfeksion të bletëve në zgjua që siç thotë ai i ngjan një shteti me ushtri, me maternitet, me polici e madje edhe me komunale.
Kështu fillon njohja e tyre e cila shumë shpejt kthehet në miqësi. Ata kanë mendime të njëjta, dëshira të njëjta. Dhe këto i shtyjnë drejt njëri-tjetrit. Nashoja mezi pret të mbarojë dita e punës dhe të zbresë në fshat për të takuar shoqen e tij të re, Flokëgështenjën. Nga ana e saj, edhe ajo mezi pret të takojë shokun e saj të ri. Të dy presin me padurim të vijë mbrëmja dhe shkojnë në sallën e Shtëpisë së Pushimit ku ka mbrëmje vallëzimi.
Të dy janë të etur për jetën. Për ta shijuar atë sa të jetë e mundur më shumë. Janë të çlirë në shfaqjen e shoqërisë së tyre. Sidomos Flokëgështenja. Gjatë vallëzimit hidhen në krahët e njëri-tjetrit pa druajtje, zbaviten, qeshin. Madje tentojnë edhe të vallëzojnë të shkëputur nga njëri-tjetri, gjë që është e ndaluar.
Të gjitha këto nuk shihen me sy të mirë nga ata që i rrethojnë dhe rreth tyre fillojnë të ngrihen intriga të nisur nga motive dhe interesa të ndryshme: dikush nga zilia që Flokëgështenja është e bukur. Një tjetër kundrejt një pjate më shumë, një tjetër si hakmarrje për shkak të refuzimit të saj, një tjetër thjesht për kënaqësi. Brenda një kohe të shkurtër rreth Flokëgështenjës krijohet një atmosferë e padurueshme. Përndjekëse deri në linçim. Atë e përjashtojnë nga Shtëpia e Pushimit për sjellje të padenjë dhe shfaqje të huaja.
Jo më të lehtë e ka edhe bletërritësi Nasho, ndaj të cilit thuren intriga të ngjashme. Si në një marrëveshje të fshehtë, të gjithë ngrihen për të penguar dhe dështuar dashurinë e sapolindur midis dy të rinjve. Një mëngjes herët Flokëgështenja largohet nga Shtëpia e Pushimit, duke lënë në atë fshat shokun e saj Nashon i cili nga ajo ndarje me përdhunë pëson goditje të rëndë shpirtërore dhe bie në depresion. Ideja që përshkon romanin është: shpirti i lirë nuk mund të mbijetojë në një shoqëri meskine në diktaturë. Ai është i destinuar të vdesë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen