Sonntag, 19. Januar 2020

PESHKATARË SI NE! - roman 220 faqe
(fitues i çmimit letrar kombëtar Penda e Argjendtë për vitin 205)

Besimi se Peshku i Artë nuk gjendet vetëm në përrallat e gjyshes, por edhe në lumin që kalon pranë qytetit të vogël e bën personazhin kryesor bashkë me Bobin të vihen në kërkim të zënies së tij me gjithfarë mënyrash: që nga vazoja prej qelqi e zhytur në ujë, grepi e deri tek koshi i thurur prej thuprash. Dhe po në të gjitha mënyrat edhe dështojnë me turp. Pasi e kuptojnë më në fund se Peshku i Artë nuk jeton në lumë por vetëm në përrallat e gjysheve, dy personazhet heqin dorë nga kapja e tij dhe vendosin të zënë peshq të zakonshëm. Por edhe këtu ata dështojnë dhe detyrohen të pranojnë se peshkun është shumë lehtë ta hash kur e ke të servirur në pjatë, por është shumë e vështirë për ta kapur në lumë. Këtë të vërtetë personazhet e mësojnë përmes një sërë aventurash dhe episodesh humoristikë në përpjekjet e tyre të dështuara për të zënë peshq. Pas shumë përpjekjesh pa sukses, më në fund atyre u buzëqesh fati. Në ranishtën pranë lumit gjejnë një gropë të mbushur plot me peshq dhe të mbuluar me rërë, nga shitësi i shitores së peshkut, pasi kishin filluar të prisheshin. Si të babëzitur mbushin duart me peshqit më të mëdhenj dhe me ta në duar hyjnë triumfatorë në qytetin e tyre të vogël. Teksa kalonin rrugës të ngarkuar rëndë me peshq të mëdhenj, ndodhi ajo që nuk u kish shkuar fare në mendje. Brenda disa minutash të gjithë banorët e qytetit të vogël, të mëdhenj e të vegjël, burra dhe gra me tava, legenë e shporta në duar nisën të vraponin drejt lumit për të zënë edhe ata peshq aq të mëdhenj sa të dy djemve.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen