Sonntag, 19. Januar 2020

DURIMI DHE ZEMËRIMI I NJË QYTETARI TË URTË - roman 426 faqe

K roman është një parodi e socializmit në të cilin gërshetohen dhe ecin paralel tragjikja dhe komikja. Në thelb të tij është ideja e punës së papaguar në socializëm, ku njerëzit e thjeshtë ngopen me lugë bosh, me citate, me iluzione dhe me ëndrra në diell. Ku ashtu siç thuhet në dedikim: u përpoqën të vinin në lëvizje një lokomotivë pa rrota.
Në qendër të romanit është Modesti, postieri i një qyteti të vogël e të largët. Është njeriu i shfrytëzuar dhe i tallur, bartësi dhe vuajtësi i idealeve utopike komuniste dhe si i tillë një lloj Don Kishoti modern i socializmit.
Naiv e mirëbesues ai punon prej vitesh pa u lodhur, ditë e natë, në kohë të mirë e të keqe. Si shpërblim për punën e zgjatur, kohë më kohë ai merr nga drejtoria një Fletë-Lavdërimi, Fletë Nderi apo Certifikatë të cilat i japin forca të reja për të punuar pa u lodhur edhe për disa muaj të tjerë. Dhe kur forcat i shterin dhe ai përgatitet të shpërthejë, drejtoria i akordon një Fletë Lavdërimi, Nderi, Certifikatë tjetër e cila e bën postierin të lumtur dhe i jep forca për të vazhduar punën më tej.
Fletët e Lavdërimit, Nderit dhe Certifikatat të cilat janë krenaria e tij, Modesti i mbërthen në muret e dhomës së ndenjies. Me kalimin e viteve ato shtohen aq shumë sa nuk ka vend më në mure. Modesti është i pasur në Fletë Lavdërimi, por i varfër me... Ai ka vetëm një palë pantallona të cilat ia lan guraja në mbrëmje, ia than natën mbi tubin e stofës për t’i patur në mëngjes t’i veshë.
Për ta pasur në çdo çast nën urdhër, drejtoria i instalon Modestit në shtëpi një telefon të cilit i funksionon vetëm pjesa e dëgjimit. Pra vetëm për të marrë urdhër për t’u paraqitur në punë në çdo kohë dhe pa pasur mundësi të kundërshtojë.
Në çdo fund viti Modesti u dërgon të gjitha institucioneve të kryeqytetit dhe njerëzve me poste në qeveri kartolina ku u uron Vitin e Ri prej të cilave merr edhe ndonjë përgjigje. Papritur një ditë ai merr një kartolinë nga Kryeministri, ose më saktë, vetëm të firmosur prej tij dhe të dërguar nga sekretaria.
Habia e Modestit është e paanë. Lumturia e tij është pakufi. I kredhur në një det lavdie ai për ditë të tëra bredh nëpër qytet dhe ua tregon të gjithëve kartolinën që ka marrë nga Kryeministri e cila në atë qytet të vogël e të largët provincial bën efekt fetishizues. Të gjithë fillojnë të sillen me respekt ndaj postierit dhe besojnë se si mik i Kryeministrit ai është në gjendje të zgjidhë hallet e problemet e qytetit dhe të qytetarëve.
Me këtë vrull Modesti fillon me iniciativën e tij kontrollin nëpër ndërmarrjet e qytetit. Atje ku vë re ndonjë buzëqeshje tallëse e mosbesuese, ai menjëherë nxjerr kartolinën e Kryeministrit. Në këto bredhje prej Komisari të Popullit, Modesti ushtron kontroll, duke lënë diku detyra për ndreqjen e të metave, diku paralajmërime e diku shkarkime nga puna të drejtuesve.
Por nuk janë të gjithë që besojnë në mirazhin e pushtetit të tij. Këta janë drejtuesit e qytetit: instruktori Laver, operativi Xhezmi dhe masoviku Çapajev të cilët duke u hequr sikur besojnë në miqësinë e postierit me Kryeministrin, fillojnë të tallen me Modestin duke i ushqyer iluzionin e pushtetit.
Nga dita e marrjes së kartolinës Modesti fillon një letërkëmbim të gjatë me mikun e tij Kryeministër e cila natyrisht është e njëanshme. Mungesën e përgjegjeve të Kryeministrit Modesti e shpjegon me punët e shumta të mikut të tij në dobi të shtetit, të rajonit dhe më gjerë. Në këto letra Modesti e vë në dijeni mikun e tij të lartë për jetën e problemet poshtë në bazë si dhe për ndjenjat, dëshirat, ëndrrat dhe planet e tij dhe të familjes së tij. Në qëndër të këtyre letrave është problemi i strehimit. Modesti ka dymbëdhjetë vjet që punon me punë vullnetare për ngritjen e apartamenteve në të cilët kurrë nuk arrin të marrë zgjerim, megjithëse punon më shumë se të gjithë dhe është më ngushtë se të gjithë.
Në këtë korrespondencë e cila do vazhdojë gjatë gjithë romanit është interesante të vihet re grafiku i gjendjes shpirtërore të Modestit. Ajo fillon me nota të larta gëzimi dhe optimizmi dhe degradon në gjendje zhgënjimi të hidhur e mjerimi.
Me durim të sosur, i ngopur deri në fyt nga premtimet dhe gënjeshtrat e hapura që i bëjnë, ai më në fund shpërthen kundër instruktorit Laver të cilin e ka nderuar e respektuar gjithë jetën. Vendos të shkojë në kryeqytet dhe t’ia tregojë mikut të tij Kryeministër të gjitha padrejtësitë që i janë bërë atij dhe të tjerëve.
Kaq i bindur është Modesti në qënien mik i Kryeministrit, saqë nuk u lë asnjë dyshim rojeve e nëpunësve të Kryeministrisë dhe të gjithë e marrin për një mik të vërtetë të Kryeministrit. E lënë të shkojë në zyrën e tij. Modesti ngjit shkallët dhe ec drejt zyrës. Në sup ka një çantë me disa dhurata të vogla nga fshati. Hap derën dhe… Më në fund pas kaq vitesh korrespondence ai është ballë për ballë me mikun e tij të lartë: Kryeministrin!
Turret me vrap drejt tij ta përqafojë por… shtanget i habitur! Në vend që të gëzohet, miku i tij alarmohet dhe fshihet nën tavolinë nga frika, duke kujtuar se dikush ka ardhur t’i bëjë atentat. Kryeministri bërtet në panik dhe thërret rojet të cilët hyjnë dhe e vënë poshtë me duar të përdredhura Modestin i cili thërret në kupë të qiellit se është keqkuptim. Se ai është miku i Kryeministrit dhe se ai deshte vetëm ta përqafonte dhe jo ta sulmonte.
Romani mbyllet me një epilog të trishtueshëm. Është përsëri Vit i Ri. Nga qelia e burgut Modesti i shkruan një kartolinë urimi Kryeministrit dhe pret me besim që papritur dera të hapet dhe të shohë mikun e tij Kryeministër që ka ardhur ta nxjerrë nga burgu.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen