Sonntag, 19. Januar 2020

DITARI I BERSALIERIT TË VRARË 

URA QË LIDH DY BRIGJE 2/2 - roman 207 faqe

Të paduruar djemtë dhe vajzat pyesin përditë postierin e qytetit a kishte ndonjë letër për ta. Një ditë ata marin lajmin e shumëpritur prej postierit. Po. Për ta kishte një letër nga Italia. Ia rrëmbejnë nga dora postierit dhe shkojnë nën degët e kumbullës për ta lexuar. Në zarf gjejnë tre letra. E para ishte një letër shumë mallëngjyese nga gruaja e tenentes e cila u lutet t’ia dërgojnë çantën me sendet personale të burrit të saj për t'i patur kujtim. Letra e dytë ishte nga ai djali i vogël, biri i tyre Mikelja, tashmë burrë. Ndërsa letra e tretë ishte nga nipi i gruas së tenentes dhe biri i Mikeles, një djalë në moshën e tyre, me emrin e shkurtuar Pepe.
Që të nesërmen djemtë ia postojnë çantën dhe sendet e tjera gruas së tenentes. Në të fusin edhe tre letra: për teta Xhinën, gruan e tenentes, për xhaxhi Mikelen dhe për birin e tij Pepen.
Pepja u përgjigjet menjëherë me një letër të gjatë ku i tregon për veten dhe për shokët e tij, çfarë pëlqen dhe çfarë nuk pëlqen, si po i kalojnë pushimet e verës e plot gjëra të tjera. Sapo lexojnë letrën, djemtë vihen t’i kthejnë një përgjigje dy herë më të gjatë ku i shkruajnë për veten e tyre, për nofkat dhe kuptimin e tyre, për lojërat dhe paudhësitë e tyre gjatë pushimeve verore. Nis kështu një letërkëmbim i përzemërt gjatë të cilit nga letra në letër ata bëhen shokë dhe miq.
Pasi disa këmbime letrash, djemtë vendosin t'i ftojnë miqtë nga Italia në qytetin e tyre të vogël. Ftesën e tyre teta Xhina, xhaxhi Mikelja dhe Pepja e presin me shumë kënaqësi dhe e pranojnë ftesën. Bashkë me ta në qytetin e vogël vjen edhe motra e vogël e Pepes si dhe dy shokë të dikurshëm të tenentes në kohën e Luftës: Luixhi dhe Vinçencoja të cilët përmenden shpesh në ditarin e tenentes. Me vete kanë sjellë edhe dhurata për të gjithë djemtë e Lagjes Brazil. Takohen si miq të vërtetë. Të mëdhenjtë kujtojnë me trishtim kohën e Luftës dhe shkatërrimet e fatkeqësitë që solli ajo. Lufta, përroi që ndan popujt. Djemtë hidhen në lojëra duke pasur midis tyre edhe Pepen.
Banorët e qytetit të vogël kalojnë disa ditë të këndshme me miqtë e largët të cilët në sajë të djemve nga armiq të dikurshëm tani janë kthyer në miq.
Është Lufta, përroi që ndan popujt.
Është Miqësia, ura që lidh popujt.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen