Sonntag, 19. Januar 2020

NË PALLATIN E PRINCIT ONASIO - roman 188 faqe

Të hollat e fituara nga llotaria dhe të shpenzuara sa andej-këtej, mbarohen dhe ata papritur mbeten pa asnjë kacidhe në xhep. Si me magji ndryshon ndaj tyre edhe sjellja e njerëzve të cilët sa kohë që kishin të holla, u buzëqeshnin me nderim e dashamirësi, ndërsa tani i shohin me përçmim. Një të premte, me anë të Kronosit djemtë shkojnë përsëri në ditën e hënë që do vijë. Kopjojnë nga gazeta numrat fitues të llotarisë dhe kthehen në kohën reale, duke luajtur me ata numra. Fitojnë përsëri llotarinë, gjë që tek banorët ngjall habi të papërshkruar. Dhe përsëri ata që i kishin parë me përçmim, nisin t'u buzëqeshin me nderim e dashamirësi!
Me të hollat e fituara, djemtë vendosin të bëjnë gërmime në të dalë të qytetit ku thuhej se nën tokë ndodhej një qytet i lashtë ilir. Pajtojnë tre punëtorë me pagesë të cilët janë përtacë, hileqarë dhe mashtrues dhe e kanë mendjen si të zhvatin sa më shumë të holla me anë të mashtrimeve.
Me ndihmën e Kronosit djemtë shkojnë disa minuta para përplasjes së “Titanikut” me aisbergun dhe zgjojnë timonierin i cili ishte duke fjetur, duke shpëtuar kështu mijëra njerëz nga katastrofa më e madhe detare.
Një mesditë djemtë vendosin të shkojnë në kohën e qytetit të lashtë. Atje njihen me princin Onasio, djalin e vetëm të mbretit Agon. Andi, që mban syza optikë, ia dhuron syzat e veta motrës së Onasios e cila nuk sheh mirë duke e bërë të shohë qartë, gjë që shkakton habi tek ajo vetë dhe tek prindërit e saj. Gjatë ditëve që jetojnë në qytetin e lashtë, djemtë bëhen dëshmitarë të komplotit dhe vrasjes së mbretit Agon dhe të riteve të varrimit të tij me therje kuajsh, gjë që i detyron djemtë të kthehen sa më parë në kohën reale.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen