Sonntag, 19. Januar 2020

GJAHTARË SI NE! - roman 197 faqe

Pasi e mbyllin me lavdi peshkimin, dy personazhet e romanit Pipkoja dhe Bobi kërkojnë të bëhen po kaq të lavdishëm edhe në gjuetinë e kafshëve të egra: lepujt, dhelprat e kunadhet. Pse jo, edhe të arinjve polarë! Duke nxjerë mësime nga dështimet në peshkim, djemtë e ndjejnë se pikë së pari duhet të mësojnë pak zanat. Pra të mësojnë sadopak nga mjeshtëria e gjuetisë. Për këtë ata takojnë djalin e një gjahtari i cili u tregon disa mënyra shumë të thjeshta me të cilat ata mund të zënë të gjitha llojet e kafshëve të egra: që nga lepuri e deri tek ariu i bardhë!
Mënyrat që u tregon djali i gjahtarit, Pipkos dhe Bobit u duken kaq të thjeshta dhe zënia e dhelprave me to kaq e lehtë saqë ia nisin gjahut pa vonesë. Në terrin e mbrëmjes ata ngrehin çarkun por në vend të dhelprës zënë macen e teto Periklicës e cila ia mbath këmbëve e alarmuar, duke marë me vete edhe çarkun. Të mbetur pa çark ata provojnë të gjuajnë me mënyrën e dytë: në kurthin e ngritur me anë të një thesi me grykë të hapur, në vend të kunadheve në të hyn derri i teto Llukanicës. Të dështuar dy herë, ata provojnë mënyrën e tretë: shkojnë rrëzë një përroi, hapin një gropë të thellë dhe në të futin një qyngj stofe në fund të të cilit vënë një lepur të ngordhur të cilit, për ta bërë me aromë sa më tërheqëse ia përcëllojnë gëzofin. Në këtë mënyrë erën e tij do ta ndjejnë që larg dhelprat, kunadhet dhe ujqërit. Pasi i kryejnë të gjitha punë, vihen të presin të fshehur pak më larg. Pas një copë here, në errësirën e natës ata shquajnë të vijë diçka e bardhë dhe besojnë se ai mund të ishte ndonjë ari polar. “Ariu“ pasi nuhat, fut kokën në qyngj për të ngrënë lepurin e ngordhur dhe ngec në të, kokëposhtë dhe këmbëpërpjetë duke ia dhënë ulërimës. Nga zëri, dy “gjahtarët” e kuptojnë se ai nuk ishte ndonjë ari i bardhë i zbritur nga Poli i Veriut siç kishin pandehur, por qeni i Demir evgjitit. U hyn tmerri dhe nxitojnë ta shpëtojnë nga kurthi qenin duke e tërhequr fort për bishti i cili ia jep vrapit dhe ik ku sytë këmbët duke angullirë me të madhe.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen