Sonntag, 19. Januar 2020

E BARDHË, E BRISHTË SI KRISTAL DËBORE - roman 462 faqe

Adrianit
zemra e të cilit pushoi së rrahuri
në çastin kur filloi të rrihte nga
dashuria
  
                                                                                             Autori

E bardhë, e brishtë si kristal dëbore. E tillë është mosha e adoleshencës, mosha e personazheve të këtij romani.
Ngjarjet zhvillohen në një qytet të vogël e të largët i cili gjatë muajve të dimrit bllokohet nga dëbora dhe lajmet që vijnë nga bota e madhe arrijnë të vonuar dhe të deformuar.
E megjithatë edhe këtu gjallon jeta. Në qendër të romanit janë një grup djemsh në adoleshencë, jeta e të cilëve do vazhdonte përjetësisht e përgjumur sikur një ditë të mos ndodhte diçka e pazakonshme. Në klasën e tyre vjen një vajzë me emrin Ana e cila ka dy gjëra të mjafta për t'i magjepsur: e para, ajo është e bukur. E dyta, ajo vjen nga kryeqyteti të cilin asnjëri prej djemve nuk ka patur fatin të ketë qënë.
Që në ditët e para ata ndjehen të dashuruar me Anën. Është dashuri e pafajshme dhe e dëlirë. Naive dhe gati qesharake, ashtu siç janë dashuritë e para në këtë moshë. Për herë të parë nisin t'i kushtojnë vëmendje veshjes, krehjes së flokëve dhe sjelljes së tyre. Për herë të parë zënë të festojnë ditëlindjet, madje nga dy e tri herë në vit, vetëm për të patur mundësi të vallëzojnë me Anën. Kush do ta fitojë Anën? Rivaliteti midis djemve është i ashpër: që nga notat në mësime e shkathtësia në orën e fizkulturës dhe deri tek veshja e madje edhe tek punët që bëjnë prindërit. Sidomos, cili do bëjë poezi më të gjata për të.
I dashuruar me Anën është edhe personazhi kryesor, e vetmja pikë e fortë e të cilit është leximi i romaneve. Por ai nuk ka asnjë shans: nuk është i pari i klasës në mësime, nuk është i bukur sa të tjerët dhe sidomos: i veshur keq, me rrobat e vëllezërve më të mëdhenj. E dashuron Anën në heshtje. I lumtur dhe i mjerë njëherësh.
Me Anën e lidh jo vetëm banka e përbashkët në klasë, por edhe pasioni për të lexuar libra, gjë që i afron shpirtërisht. Ata i huajnë libra njëri-tjetrit, i rekomandojnë libra njëri-tjetrit, flasin çdo ditë për librat që lexojnë. Kështu në roman ecin paralel dy linja dashurie: linja e dashurisë për librat dhe linja e dashurisë për Anën. Romanit nuk i mungon ngarkesa dramatike, madje edhe tragjikja. Atë e tensionon vrasja aksidentale e njërit prej personazheve, Adrianit i cili me sa duket, e dashuronte më tepër se të gjithë Anën, si një theror dashurie i kërkuar nga Kiprida (perëndesha e dashurisë)
Kjo vrasje përjetohet thellë e dhimbshëm nga djemtë. E megjithatë jeta përsëri vazhdon. Është fund dimri. Fund adoleshence. Dimri është i bardhë. E bardhë është edhe mosha e adoleshencës, mosha e dashurive të fshehta e të heshtura të cilat në të shumtën e herës mbeten të pashprehura.
Dimri është në të dalë. Nga çatitë kullojnë pikat e dëborës që shkrin, paralajmëtare të pranverës dhe hyrjes në një moshë të re.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen