SI U BËMË MË TË PASURIT E BOTËS - roman.
Nga dritarja e hapur hynte era e freskët e mëngjesit dhe bashkë me të edhe ajo dritë e mugët që shpërndahet përpara se të lindë dielli. Nëpër gjumë ndjeva zhurmën e këmbëve të vëllezërve të mi më të mëdhenj Kolit dhe Uçit që sapo ishin ngritur nga krevati dhe po visheshin për të shkuar në Dedina, siç bënin çdo mëngjes herët, ku shkonin për të mbledhur zhumbricë.
Ndërsa emri Koli i vëllait tim më të madh nuk ju bën ndonjë përshtypje dhe ju shkon mendja vetvetiu se është shkurtim i emrit Nikolla, emri i vëllait të mesëm Uçi me shumë gjasë ju duket i çuditshëm dhe ndoshta ju habit pak. Pasi edhe unë për vete, nuk kam dëgjuar emër të tillë. Por ai nuk e ka emrin Uçi. Ai e ka Mitro, ndërsa Uçi i thërresim vetëm në shtëpi. Se nga i ka ardhur kjo nofkë dhe kush ia ka ngjitur, ec e gjeje!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen