Dienstag, 31. August 2021

 

MOS U DORËZO KURRË! - roman për teenager.


Pasi u kthyem nga Ishulli i të Egërve, Cullë Qimekuqi qëndroi disa ditë i dergjur në Strehëz. Dielli përvëlues nën të cilin kish ndenjur për një ditë të tërë i lidhur pas hurit në mes të sheshit në fshatin e të egërve e kishte sëmurur rëndë. Kishte ethe të forta sa ment thyente dhëmbët nga kërcëllitja e tyre. Gjatë natës e mbulonin djersë të ftohta. Bëhej qull, sikur sapo të kish dalë nga oqeani. Me urdhër të Pendëkuqit, që atë mbrëmje Dy Lugë Gjella u ngarkua me detyrë të rrinte në Strehëz dhe të kujdesej për Cullë Qimekuqin. Në mëngjes, përpara se të iknim në punët tona të përditshme, shihnim edhe një herë Cullë Qimekuqin. I vinim dorën mbi ballë për të parë a kishte të nxehtë. I kapnim kyçin e dorës për të vënë re sa i rrihte pulsi. Pasi bënim këto, niseshim për në punë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen