Dienstag, 31. August 2021

 

NË PALLATIN E PRINCIT ONASIO - roman për teenager.

Kurrë nuk do ta besoja se njeriu mund të bëhet aq i rëndësishëm brenda një kohe kaq të shkurtër, vetëm në sajë të të hollave që ka!

Brenda disa orësh, nga vrima e fundit e kavallit që isha në shtëpi, menjëherë u vura në qendër të vëmendjes së gjithë familjes. Ta pret mendja, e para e ktheu fletën Lori e pastaj me radhë të tjerët, deri tek e paepura Dede. Lori i hoqi e para thumbat e spicat që lëshonte kundër meje dhe befas u bë e dashur me mua. Nisi të më pyeste a më pëlqente të më qëndiste me kryqkë një shami xhepi dhe a kisha qejf të më dhuronte një lente zmadhuese për të cilën para dy javësh më kish treguar gishtin e madh, duke më thënë: hip këtu të shikosh Stambollin! kur iu luta të ma jepte të shihja vetëm një herë sa zmadhonte. Pastaj, duke marrë në fytyrë shprehje plot trishtim nisi të më thoshte se Poshtë, te shitorja e Lirikës kishin dalë ca fustane të bukur me flutura të kuqe, por kot që kishin dalë, pasi ajo nuk kishte lekë për të blerë!




Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen