Mittwoch, 1. September 2021

 

AI QË S'U NDREQ KURRË - roman.

Sa herë vinte në shtëpi, ai mundohej të ringjallte diçka nga fëmijëria. Futej te kthina që ata e quanin qilar, shihte me përmallim sende të vjetra të cilat prej vitesh nuk përdoreshin më e që tashmë kishin marrë kuptimin dhe vlerën e relikeve: fenerin e vjetër varur në gozhdë, kusinë e bakërt në të cilën gjyshja milte atë dhinë e kuqe e të sertë, me pullë të bardhë në bark, mangallin e ndryshkur mbi të cilin i ati ngrohte duart e mardhura kur kthehej netëve të vona të dimrit nga puna, mbi prushin e të cilit lyente gishtat e plasaritura prej të ftohtit me dhjamë të shkrirë dashi, atë thikën e vjetër me mbishkrim të gdhendur në të: “Omega Solingen“ i cili gjatë tërë fëmijërisë i tingëllonte gati si shprehje magjike, diçka si Abrakadabra, Sensalabim ose Hapu Sezam! dhe që deri sa u rrit, kurrë nuk e pati të qartë ç’do të thoshin ato dy fjalë.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen