Mittwoch, 1. September 2021

 

 Thanas Jorgji
u lind në Bilisht më 31 janar 1955. Ka kryer studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Fakultetin Histori - Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Pas diplomimit u emërua me punë në redaksinë e Revistës letrare-artistike „NËNTORI“ – organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë ku punoi si redaktor për prozën deri në vitin 1992. Prej këtij viti ai jeton në Mynih (München) të Gjermanisë.
 
Ai është fitues i Çmimit të Parë në prozë (1986) dhe dy herë fitues i Çmimit Letrar "Penda e Argjendtë" (2005, 2012). 
Përveçse në Shqipëri, libra të tij janë botuar edhe në Greqi, Austri, Gjermani dhe Itali. 

Foto: Jan Roeder, Süddeutsche Zeitung     

 

Thanas Jorgji was born in Bilisht (Albania) on 31.1.1955. He studied Albanian language and literature at the Tirana University. After graduating, he worked as a lecturer for fiction till 1992 at the “NËNTORI” literature riview, published by the Albanian Writers’ and Artists’ League. Since 1992 he lives in Munich, Germany.

He is two time winner of the Silver Feather for literature (2005, 2012) in Albania.

Thanas Jorgji wurde am 31. Januar 1955 in Bilisht (Albanien) geboren. In der Universität Tirana hat er das Studium für albanische Sprache und Literatur absolviert. Nach dem Diplom wurde er in die Redaktion der literarischen Zeitschrift „NËNTORI“ – Organ des Schriftsteller und Künstler Verbands Albaniens – aufgenommen, wo er bis 1992 als Redakteur für Prosa gearbeitet hat. Seitdem lebt er in München.

Er wurde zwei mal ausgezeichnet mit der Silbernen Feder für Literatur (2005, 2012) in Albanien.

     Blog: https://thanas-jorgji.blogspot.com/ 

     Facebook : Thanas Pilafas   

     Email: kronos_55@yahoo.de  

     Wikipedia: Thanas Jorgji Pilafas

 

TITUJT E LIBRAVE NË E-BOOK

.

 

LETËRSI PËR TË RRITUR

 

1 – ERË MJALTI – roman 323 faqe

2 – E BUKURA E PANJOHUR – roman 414 faqe

3 – E PËRMALLUARA DEDE – roman 353 faqe

.. – L'ECO DEGLI ABISSI – roman 400 faqe

- përkthimi në italisht dhe botimi në Romë i romanit “E përmalluara Dede” -

4 – E BARDHË E BRISHTË SI KRISTAL DËBORE – roman 567 faqe

5 – MODEST, SHTRIJE HAPIN! – roman 486 faqe

6 – AI QË S'U NDREQ KURRË – roman 788 faqe

7 – KTHIM NË ITAKË – roman 609 faqe

8 – TË VONUARIT – roman 383 faqe.

9 – VËSHTRIMI I TRISHTË I ZONJËS VENDEL – roman 281 faqe

10 – KËPUT MOLLËN E PARË – roman 319 faqe


NË KËRKIM TË ELDORADOS

– cikël prej shtatë romanesh kronologjikë –

 

11 – PREKJA E MIRAZHIT – roman 723 faqe

12 – ËNDRRAT TRETEN NË MËNGJES – roman 721 faqe

13 – NËSE JETA ËSHTË KAQ E SHKURTËR – roman 554 faqe

.. – AUF DER SUCHE NACH ELDORADO – roman 543 faqe.

(Në kërkim të Eldorados) - përkthimi dhe botimi në gjermanisht i romanit „Nëse jeta është kaq e shkurtër“ -

14 – NATA E YJEVE QË BIEN – roman 414 faqe.

15 – NJERËZ NË UDHË – roman 415 faqe.

16 – DOJÇLAND, DOJÇLAND! – roman 380 faqe.

17 – DRITËHIJET E PARAJSËS – roman 379 faqe.

 

LETËRSI PËR TEENAGER


Seria DITË VERE 11 romane

 

18 – ËNDRRA TË MËDHA – roman 235 faqe

19 – SI U BËRA ROBINSON – roman 231 faqe

20 – PESHKATARË SI NE! – roman 237 faqe

21 – GJAHTARË SI NE! – roman 223 faqe

22 – TRE MUAJ PLOT ME TË DIELA – roman 221 faqe

23 – I TILLË ISHTE TURI ARIU – roman 261 faqe

24 – TEATRI MAGJIK – roman 295 faqe

25 – KINEMA MAJESTIK – roman 308 faqe

26 – GJUETI E NDALUAR – roman 315 faqe

27 – MISTERI I SHPELLËS „GRYKA E UJKUT“ – roman 337 faqe

28 – KËTU DIÇKA KA! – roman 306 faqe.

 

LAGJA BRAZIL 3 romane

 

29 – USHTRIA E PËRROIT TË XHINDEVE – roman 266 faqe.

30 – GJENERALI I HEKURT R – roman 279 faqe.

31 – DJEMTË E LAGJES BRAZIL – roman 327 faqe.

 

DITARI I BERSALIERIT TË VRARË 2 romane

 

32 – PËRROI QË NDANTE DY BRIGJE 1/2 – roman 255 faqe

33 – URA QË LIDH DY BRIGJE 2/2 – roman 250 faqe


Seria UNË JAM KRONOSI ZOTI I KOHËS 33 romane


34 – VIZITORI I ÇUDITSHËM 1/33 – roman 241 faqe

35 – MASHTRIMET E TETO LLUKANICËS 2/33 – roman 237 faqe

36 – ROBËR NË ÇADRËN E JENIÇERËVE 3/33 – roman 238 faqe

37 – NE QË MUNDËM USHTRINË E SULLTANIT 4/33 – roman 226 faqe

38 – VETËM HAJDUTËT TA DUAN TË MIRËN 5/33 – roman 236 faqe

39 – PËR NJË KOSKË GJER POLOSKË 6/33 – roman 241 faqe

40 – PO TË MOS KISH VDEKUR DO RRONTE AKOMA 7/33 – roman 239 faqe

41 – KU TA DIJA UNË I ZIU SE ÇIFTE KISHTE EDHE ARIU 8/33 – roman 237 f.

42 – VETËM MERR, KURRË NUK JEP! 9/33 – roman 225 faqe

43 – MIQ NË SHTËPINË E NASTRADINIT 10/33 – roman 234 faqe

44 – RRËFENJAT E ZYLFIKAR EL QAFIRIT 11/33 – roman 238 faqe

45– TI JE ME MUA APO ME ARIUN? 12/33 – roman 226 faqe

46 – LOPA MË JEP DETYRA SHTËPIE 13/33 – roman 238 faqe

47 – MOS E HARRO KOKËN NË DRITARE 14/33 – roman 238 faqe

48 – OSE MË KTHE SAMARIN OSE MË RRUAJ GOMARIN 15/33 -roman 241 f

49 – NJËQIND HERË NASTRADIN 16/33 – roman 259 faqe

50 – TË SHTATË NË TROJË 17/33 – roman 240 faqe

51 – SI U BËMË MË TË PASURIT E BOTËS 18/33 – roman 235 faqe

52 – NË PALLATIN E PRINCIT ONASIO 19/33 – roman 238 faqe

53 – BOBI I BARDHË DHE BOBI I ZI 20/33 – roman 237 faqe

54 – NJË SHOK SI ALKESTI 21/33 – roman 241 faqe

55 – GLADIATORI DHE SPARTAKU 22/33 – roman 244 faqe

56 – MAGJISTARI I SIRAKUZËS 23/33 – roman 247 faqe

57 – DETEKTIVËT MË TË MËDHENJ TË AMERIKËS 24/33 – roman 241 faqe

58 – TË HUMBUR NË ISHULLIN E PABANUAR 25/33 – roman 243 faqe.

59 – FISHKËLLE NË KODRINË 26/33 – roman 238 faqe

60 – NË NDJEKJE TË PIRATËVE 27/33 – roman 240 faqe

61 – ZHDUKJA E PAPRITUR E CULLË QIMEKUQIT 28/33 – roman 243 faqe.

62 – NË ISHULLIN E TË EGËRVE 29/33 – roman 241 faqe.

63 – MOS U DORËZO KURRË! 30/33 – roman 242 faqe.

64 – UDHËTIM NË VITIN 33.333 31/33 – roman 242 faqe

65 – LAMTUMIRË ROBIN HUD! 32/33 – roman 240 faqe

66 – E FSHEHTA MË E MADHE E BOTËS 33/33 – roman 250 faqe.

 

VËLLIME ME TREGIME E NOVELA PËR FËMIJË 

 

67 – FLUTURO, FLUTURO KANARINË  103 faqe

68 – NJË DHURATË MË SHUMË  104 faqe

69 – DITË GJAHU NË VERË  105 faqe

70 – MAKSI DHE ZOGU  103 faqe

 

 

ERË MJALTI - roman.

Për një çast mbajta këmbët. Jo për t'u çlodhur, po për të admiruar pamjen. Ishte fund maji dhe akaciet ishin në kulmin e lulëzimit. Qe me të vërtetë një pamje e rrallë. Gati një përrallë. Ngado që hidhja vështrimin, syri më zinte akacie të ngarkuara me vilet e luleve të tyre në ngjyrë qumështi si të rënduara nga dëbora, ndërsa përpara këmbëve shtrihej qilimi i butë e i bardhë i luleshqerrave.

Ishte një bardhësi që të merte sytë.

Oh zot, sa bukur! Rrija dhe vështroja i mrekulluar. Si dikush në një përrallë të cilit befas i shfaqet para syve një pyll me bukuri magjepsëse. Kurrë nuk kisha parë aq shumë luleshqerra, aq të dendura dhe në një hapësirë aq të madhe. Dhe kurrë aq shumë akacie të lulëzuara.

Në natyrë shpesh mund të gjesh pika ngjashmërie në të cilat kryqëzohen stinët: arabeskat e akullta në xhama në palcë të dimrit të kujtojnë blerimin e luleve të pranverës, ashtu si bardhësia e luleakacieve të kujton degët të cilave u merr frymën dëbora.

Ndenja disa çaste mëdyshas me druajtjen e njeriut në pragun e një dhome në dyshemenë e së cilës shtrihet një qilim i mrekullueshëm ku ai druhet ose i vjen keq të shkelë.

 


 

SI U BËRA ROBINSON - roman për teenager.

Më në fund dora më zuri një gjysmë libri: pa fillim e pa fund, me penjë të liruara e fletë të shqepura. E kapa për fletësh, si të zija një zog të ngordhur dhe në çastin kur do ta flakja mënjanë, më tërhoqi vëmendjen midis fletëve një vizatim. Në të paraqitej një burrë me pamje të çuditshme: i parruar, me kapele të hatashme trekëndshe, me bluzë marinari vija-vija, me dylbi të gjatë detarësh e dy pisqolla në brez dhe me një diçka në dorë, midis bastunit dhe ombrellës. Ky kish hipur në breg dhe vështronte larg në det, ndërsa prapa kurrizit ngriheshin nja dy palma me degë të përkulura.

 

E BUKURA E PANJOHUR - roman.

Aty më poshtë kisha ndaluar të çlodhesha në njërën prej atyre llokaçkave ku ditën freskohen njerëzit që u bie rruga andej e natën pinë ujë lepujt e egër dhe ketrat. Ishte aq fresk sa s’më bëhej të ngrihesha. Një ndjenjë përtace po më kaplonte përkëdhelisht e pa u ndjerë dhe më ndillte gjumë. Më grishte të shtrihesha mbi lëndinën e njomësht, mbushur me gjethëza të dhëmbëzuara luleshtrydhesh dhe të kotesha duke i vënë veshin zhurmës monotone të ujit që rridhte në llokaçkë. Ai çurgonte nëpër fijet e gjata të barit, sikur rridhte nga flokët e harlisur të një vajze të rrëmbyer nga kusarët e të kredhur nën lëmashk.


 

PESHKATARË SI NE - roman. Fitues i çmimit letrar "Penda e Argjendtë".

Dikur zemra më rrahu me gëzim dhe pandeha se mundimi më në fund m’u shpërblye. Midis rrangullave shquajta një dorezë kusie, mu si ajo e kusisë ku Dedja milte dhinë. Nisa t’ia hiqja me nxitim e t’ia flakja nga më vinte për mbarë vjetërsirat që ia kishin zënë frymën asaj kusie të uruar dhe kur e pashë se mund ta nxirja, e zura për doreze dhe e ngrita lart. Dhe sapo e ngrita, e kuptova se gëzimi dhe mundimi im kishin shkuar kot. Ajo kusi e mallkuar nuk kishte fund. Dhe të mos kishte fund, nuk meritonte më shumë se ta flakja tej. Ashtu bëra. E vërvita sa më hante krahu drejt cepit më të largët. Gjatë përplasjes, ajo diçka rrëzoi atje në gjysmerrësirë dhe tek binin, të dyja lëshuan zhurmë të madhe.

 


GJAHTARË SI NE
- roman për teenager.

Për të zezën time, pas pak pashë që midis barit doli një fjollë tymi. E hollë sa një fije peri, por gjithsesi e mjaftueshme. Unë rrija në këmbë i stepur para asaj që po ndodhte para syve të mi e cila ngjante gati me magji. E shihja dhe s’flisja. Mrekullia tashmë kish ndodhur. Ata dy gurë të ftohtë kishin lindur xixën, kishin krijuar zjarrin, ashtu siç e kishin përftuar njerëzit e egër dhjetë mijë vjet më parë. Dhe kaq mjaftonte. Sa i madh do bëhej zjarri, kjo varej sa do ushqehej ai. Ajo fjollë e dobët tashmë ishte në gjendje të ndizte një zjarr të madh, të digjte madje edhe një pyll të tërë!

 

AI QË S'U NDREQ KURRË - roman.

Sa herë vinte në shtëpi, ai mundohej të ringjallte diçka nga fëmijëria. Futej te kthina që ata e quanin qilar, shihte me përmallim sende të vjetra të cilat prej vitesh nuk përdoreshin më e që tashmë kishin marrë kuptimin dhe vlerën e relikeve: fenerin e vjetër varur në gozhdë, kusinë e bakërt në të cilën gjyshja milte atë dhinë e kuqe e të sertë, me pullë të bardhë në bark, mangallin e ndryshkur mbi të cilin i ati ngrohte duart e mardhura kur kthehej netëve të vona të dimrit nga puna, mbi prushin e të cilit lyente gishtat e plasaritura prej të ftohtit me dhjamë të shkrirë dashi, atë thikën e vjetër me mbishkrim të gdhendur në të: “Omega Solingen“ i cili gjatë tërë fëmijërisë i tingëllonte gati si shprehje magjike, diçka si Abrakadabra, Sensalabim ose Hapu Sezam! dhe që deri sa u rrit, kurrë nuk e pati të qartë ç’do të thoshin ato dy fjalë.


 

TRE MUAJ PLOT ME TË DIELA - roman për teenager.

Ndërkaq nga qielli u lëshua me vërtik drejt kumbullës gjatore, asaj pemës së vjetër me degë gjysmë të thara që ngrihet pranë gardhit të xha Fanit një zog i madh sa një pëllumb të cilin s'e kisha parë kurrë. Në kokë kishte një si ombrellëz apo kurorëz të cilën një herë e hapte, një herë e mbyllte. Me pendë të kuqe, të zeza, të gjelbra e të verdha. Aq i bukur sa mbeta i ngrirë me sytë ngulur tek ai dhe nuk guxoja të lëvizja nga frika se mos e trembja. Ai lëshoi dy-tri klithma të mprehta dhe pas pak drejt majës së kumbullës u lëshua edhe një zog tjetër si ai. Ndoshta ishte femra apo mashkulli.


 


I TILLË ISHTE TURI ARIU - roman për teenager.

Nisëm të ecnim verbazi duke u penguar në çdo hap në gjithfarë kazanësh e arkash. Një mori rrangullash ishin hedhur pa kujdes, prej të cilave vetëm një pjesë të vogël mund të njihja: një lëkurë dhie, një ibrik i madh prej cingoje i ciflosur me lëfytin të thyer më dysh, rrathë të ndryshkur kadesh, një stofë të vjetër, një pëti pa shkopin që rreh kosin, qyngje, dy brirë dashi, një mangall vetëm me dy këmbë, një çikrik tjerjeje pa rrotën që mbështjell perin, disa pjata alumini të shtypura, një xham i thyer në të cilin ishte pikturuar një princeshë japoneze, një fener i shtrembër, një sahat muri pa pendul. Një tjetër vetëm me agrepin e minutave.

 

KTHIM NË ITAKË - roman.

Sa më tepër afrohej dita e nisjes, aq më munduese i bëhej ndjenja e turbullimit. Si do ta prisnin të afërmit dhe bashkëfshatarët vajtjen e tij? Do t'i thoshin mirë se ardhe! apo mirë që ardhe! Rrekej të përfytyronte çastet e para të takimit me ta. Fjalët përshëndetëse që do t'i thoshin. Gëzimin dhe ndofta edhe shpotinë. Vështrimet e tyre të mbushura me përmallim, e mbase edhe me përçmim. Këtë ndjenjë munduese ai rropatej ta mbyste me ndjenjën e haresë. Ai po shkonte në vendlindje. Do takohej dhe do çmallej me njerëzit e tij. Me fshatin dhe me bashkëfshatarët. A nuk ishte kjo një arsye për t'u ndjerë i gëzuar? Por më kot. Si një tapë e cila gjithmonë del mbi sipërfaqen e ujit, kundër dëshirës së tij shqetësimi nxirte krye dhe ishte gjithmonë aty.


 

TEATRI MAGJIK - roman për teenager.

Po le të kthehem atje ku e pata fjalën. Hë pra më thoni: ku është më mirë të jetosh? Në kryeqytet ku në çdo hap duhet të hapësh sytë mirë që të mos shkelësh ndonjë nga ato vijat e bardha, apo në këtë qytetin tonë të vogël, ku nuk ka kurrfarë vije të bardhë dhe mund t'i biesh rrugëve e të shkosh ku të të dojë loçka e zemrës. Ku po t'u nxeh trupi, shkon në lumë dhe mund të lahesh sa të duash pa t'u dashur të fusësh dorën në xhep. Ku po të shkoi mendja për qershi e kumbulla, ja tek i ke kopshtet: varju degëve dhe bëj një bark të mirë me qershi e kumbulla falas. Ku po t'u tek për të parë kafshë, nuk ke nevojë të shkosh asgjëkundi, pasi gomerët, kuajt, mushkat, rosat, patat, lopët, buallicat, delet e dhitë i ke në rrugë dhe mund t'i shikosh gjer sa të të mbyllen sytë nga gjumi!

Dienstag, 31. August 2021

 

KINEMA MAJESTIK - roman për teenager.

Ndofta mund të kisha lexuar nja tetëmbëdhjetë a njëzet e tetë faqe, kur befas në majën e kalives u dëgjua një fërfëllimë si rrahje flatrash zogu. Ngrita sytë. Vërtet ishte një verdhash. Një zog i vogël, me sqep të mprehtë e me sy të vegjël e të zinj. Me pupla të verdha në gjoks dhe të zeza te krahët. Për një çast u pamë sy më sy. Isha gati ta ftoja atë mik të papritur. T'i thosha të hynte në kalive, ta gostisja me ato që më ndodheshin dhe të bisedonim shtruar për hallet e zbavitjet tona: unë si bir njeriu, ai si bir zogu. Por ai me sa dukej nuk ma pati besën ose kishte punë të tjera, sepse pas një çasti rrahu flatrat dhe fluturoi kushedi se ku.

 

E PËRMALLUARA DEDE - roman.

Ai ledhatim, megjithëse i vrazhdë, më qetësonte disi dhe unë tashmë rrekesha të kuptoja ç'kishte Dedja që qante. Ndjeja se asaj i mungonte diçka. Diçka shumë e vlefshme dhe e shtrenjtë të cilën e kish pasur dikur por që e pat humbur e që sipas të gjitha gjasave, ishte i biri i vdekur. Këtë hamendje ma përforconin mollëzat përjetësisht të skuqura të faqeve të saj. Mamaja tregonte se kur vdiq Nikoja, Dedes i hipi zjarrmi e madhe dhe u dergj për shumë kohë e sëmurë. Pas lëngimit të gjatë, zjarrmia i iku, por e kuqja e faqeve i mbeti e nuk iu hoq më.




USHTRIA E PËRROIT TË XHINDEVE - roman për teenager.

Por me sa dukej llogaritë i kishim bërë gabim. Njëzet hapa larg vendit ku hidhnin plehrat dhe çepkasnin pulat, ndodhej porta e një plake së cilës asnjëri prej nesh nuk ia dinte emrin. Ishte një plakë e shkurtër, me shami të zezë, me fustan të zi dhe me çorape të leshta, të zeza dhe të gjata deri te gjuri, si të gjitha plakat e tjera të mëhallës sonë së cilës të gjithë i thërrisnin Pandeshë, me sa dukej nga burri i vdekur i cili duhej ta kish patur emrin Pandi. Në dallim nga plakat e tjera, Pandesha kishte në anët e buzës së sipërme ca qime të gjata e të bardha si mustaqe të rralla. Dhe ja ku kjo Pandesha e mallkuar ishte ulur mbi një fron të ulët ndanë portës së shtëpisë së saj dhe tirte lesh nga një furkë që e mbantë nën sqetullën e majtë.



 

GJENERALI I HEKURT R - roman për teenager.

Pasi u mbush plot me ujë, E Premtja e Gjysmë me vazon në të dyja duart, unë me qesen e plastmasit në dorë u nisëm me nxitim për tek shtëpia e Nastos. U futëm në rrugicë dhe mbajtëm vesh. Nga oborri vinin disa zhurma të lehta dhe zëri i Nastos që me siguri fliste me të ëmën, se përveç saj në atë shtëpi vetëm macja ishte. Lamë përtokë ato që kishim në duar dhe pasi u ngritëm mbi majat e gishtave, hodhëm sytë në oborr. Telat në të cilët ndeheshin rroba për t'u tharë lëkundeshin, gjë që do të thoshte se Nastoja apo e ëma ose ishte duke ndehur rroba të porsalara, ose po mblidhte rrobat e thara, gjë që për ne ishte njëlloj.

 

E BARDHË E BRISHTË SI KRISTAL DËBORE - roman.

Sapo kishim dalë nga kinemaja dhe po ngjiteshim për në shtëpi. Binte dëborë me flokë të mëdha që nën dritën e dobët të llampave elektrike të varura përgjatë shtyllave anës rrugës, dukeshin si një mori letrash të bardha, të hedhura prej dikujt nga errësira. Ishte një nga ato mbrëmje dimri të ngrohta, që tek sheh dëborën e bardhë të ketë mbuluar bredhat e telat e telefonit t’i ketë trashur si me krem të bardhë torte, teksa sheh gjurmët thuajse të rrafshuara nga dëbora e re që bie e heshtur si në një botë pa tinguj, se pse të zgjohet një mall, shpirti të zbutet dhe befas të lind dëshira të mos shkosh e të mbyllesh në shtëpi, por të ecësh, të ecësh, nëpër rrugë të largëta e të panjohura, si ata udhëtarët që ecin drejt polit, të mbështjellë kokë e këmbë me gëzofë të trashë.


 

DJEMTË E LAGJES BREZIL - roman për teenager.

Nuk pritëm më. Ia dhamë vrapit drejt shtëpisë së Indianit. Duke e ditur nga fjalët e Gjeneralit R se rreth shtëpisë së tij qarkullonin spiunët e tradhtarët me t'iu afruar shtëpisë së Indianit e ndalëm vrapin dhe nisëm të ecnim me fytyra mjaft të brengosura dhe me sytë përtokë sikur të na kishin humbur nga dhjetë lekë për shok. Ama sytë i bëmë katër! Shtireshim sikur vështronim përtokë, por me bisht të syrit vëzhgonim mos i tërhiqnim vëmendjen ndonjë spiuni apo tradhtari. Për fat të mirë, pranë shtëpisë së Indianit nuk vumë re ndonjë prej tyre, me përjashtim të një qeni që kishte marë midis dhëmbëve një kockë të trashë dhe po mendohej për të gjetur ndonjë vend ku mund ta përtypte sa më i qetë dhe që me mijë për mijë, nuk ishte as spiun dhe as tradhtar.


 

GJUETI E NDALUAR - roman për teenager.

Rruga e shtruar me gurë që ngjitet nga Poshtë është e valëzuar: me dy pjesë të sheshta, si për t'i dhënë mundësi njerëzve të marin nga një frymë dhe të vazhdojnë rrugën përsëri. Në krye të përpjetës së dytë, në anën e djathtë ndodhet një ndërtesë prej tullash të cilën e quajmë Çentrali. Çfarë do të thotë kjo fjalë nuk e di, por di çfarë ka brenda në të, pasi disa herë jemi qepur pas murit deri tek dritaret dhe kemi parë çfarë ka brenda. Në të është një sallë shumë e madhe e shtruar me çimento. Në mes të saj ka disa makineri prej të cilave del korenti që na sjell dritat. Veç të dëgjoni si shungullojnë e gjëmojnë ato makineritë kur punojnë! Sikur ke hipur në ndonjë vapor të madh!


 

TË VONUARIT - roman.

Mu atje ku mbaron njëra këmbë e urës zë fill një rrugicë e ngushtë që dredhon midis shtëpive të gjithfarë stileve e ngjyrave, disa prej të cilave madje nuk kanë as stil, as ngjyra. Të paduruarit që nuk e njohin atë pjesë të qytetit dhe duan të fitojnë disa minuta kohë, nxitojnë t'i bien shkurt duke kaluar nëpër të. Por shpejt e ndjejnë se janë gabuar me ngutjen e tyre. Rrugica ngushtohet e ngushtohet, deri sa përballë u del një portë, përtej së cilës nuk mund të kalohet më. Atëhere i nxituari që është vonuar për diku e kupton se nuk ka fituar asgjë, madje ka humbur shumë më tepër kohë se po të kish shkuar në rrugën e zakonshme. Rrugica e ka zënë në grackë dhe atij s'i mbetet tjetër veçse të mallkojë e të shajë nëpër dhëmbë ngutjen e tij.